Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka kritikuar kryeministrin në detyrë Albin Kurti, duke e akuzuar për mungesë të kontributit në luftën çlirimtare dhe në ndërtimin e institucioneve të Kosovës, si dhe për përdorim të propagandës politike.
Sipas Ramës, lideri i VV-së, Kurti “ka deficit të madh politik dhe personal”, ndërsa pretendoi se ai përpiqet ta mbulojë këtë mungesë përmes sulmeve ndaj figurave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, transmeton KosovaPress.
Sipas tij: “Prandaj, në vazhdimësi përpiqet ta mbulojë këtë mungesë me propagandë, duke sulmuar figurat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si “hajna” e “kriminelë” dhe, me ligësinë më të madhe, duke tentuar që familjet më të mëdha atdhetare t’i bëjë pjesë të diskursit të fushatës”.
Tutje, ai tha se qytetarët kanë nevojë për zhvillim dhe mirëqenie, e jo, siç tha ai, “filma propagandistikë të kohës së komunizmit”.
Rama kërkoi nga kryeministri që të prezantojë rezultate konkrete dhe raporte për gjendjen ekonomike të qytetarëve.