Kuçi kujton deklaratën e Vuçiqit pas Banjskës: “Radoiçiq dhe djemtë që morën pjesë, janë krenarë me këtë”
Lajme
Lexohet për: 4 min.
Dëgjoje me zë...
Kuçi kujton deklaratën e Vuçiqit pas Banjskës: “Radoiçiq dhe djemtë që morën pjesë, janë krenarë me këtë”
Gurakuc Kuci 1
28/04/2026 - 11:03
Linku u kopjua

Shteti serb historikisht ka ditur të krijojë, të përdorë dhe më pas të mbrojë grupe terroriste kur ato i kanë shërbyer objektivave të tij politike, ka thënë eksperti i çështjeve të sigurisë, Gurakuç Kuçi, pas shpalljes fajtorë të tre serbëve për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit.

Derisa Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar me burgim të përjetshëm Bllagoje Spasojeviq e Vlladimir Tolliq, dhe me 30 vjet burgim Dushan Maksimoviqin, Serbia nuk ka ndjekur penalisht e as dorëzuar asnjë nga pjesëmarrësit në sulmin terrorist në Banjskë, ku mbeti i vrarë rreshteri policer Afrim Bunjaku e u plagosën tret ë tjerë.

“1/3 Le të kujtojmë deklaratën e Vuçiq pas sulmit terrorist në Banjskë: “Radoiçiq dhe djemtë që morën pjesë janë krenarë për këtë!” Serbia ka organizuar historikisht terrorizëm shtetëror përmes “çetnikëve” Serbia nuk ka problem vetëm me individë si Milan Radoiçiq. Problemi është më i thellë: shteti serb historikisht ka ditur të krijojë, të përdorë dhe më pas të mbrojë grupe terroriste kur ato i kanë shërbyer objektivave të tij politike”, ka shkruar Kuçi në X.

Siç ka thënë ai, Serbia ende refuzon të shkëputet nga metodat e dhunës politike ndaj shqiptarëve dhe shteteve fqinje.

Kuçi ka kujtuar se si Vuçiq ka shprehur krenari për veprimet terroriste në Banjskë.

“Sulmi terrorist në Banjskë dhe sulmi ndaj kanalit Ibër-Lepenc në Kosovë e dëshmojnë këtë vazhdimësi. Edhe pas këtyre akteve, Serbia dhe presidenti i saj, Aleksandar Vuçiq, nuk u distancuan qartë nga autorët e tyre. Përkundrazi, qëndrimi i tyre mbeti mbrojtës dhe justifikues. Pas sulmit në Banjskë, duke folur për Milan Radoiçiq dhe grupin terrorist, Vuçiq deklaroi: ‘Nëse dikush mendoi se ai do të ikë dhe do të fshihet, jo, kjo nuk do të ndodhë. Ai dhe djemtë që morën pjesë janë krenarë për këtë.’ Kjo fjali thotë më shumë se çdo deklaratë diplomatike. Një shtet që dënon terrorizmin nuk i quan krenarë njerëzit që marrin pjesë në një sulm të armatosur kundër institucioneve të një shteti tjetër. Një shtet që respekton drejtësinë nuk e lë të lirë një njeri të lidhur me organizimin e një akti terrorist”, ka shkruar ai ndër të tjera.

Siç ka thënë ai, dështimi për ta dorëzuar Radojçiqin para drejtësisë nuk është një rastësi procedurale, por mbrojtje politike.

“Problemi i Serbisë me terrorizmin është strukturor, jo sporadik. Prandaj, problemi nuk është vetëm një individ i vetëm. Problemi është një strukturë shtetërore dhe një klasë politike që ruan trashëgiminë e dhunës si instrument kundër Kosovës dhe shqiptarëve. Kjo qasje përbën një kërcënim të përditshëm për stabilitetin rajonal, sepse mban të hapur mundësinë që dhuna të përdoret sërish si mjet presioni politik.”

Ai ka kujtuar mes tjerash se ekzistojnë tashmë vendime gjyqësore në Kosovë, qëndrime të organizatave ndërkombëtare dhe kërkesa nga shtetet demokratike që Serbia të mbahet përgjegjëse dhe të dorëzojë personat e përfshirë në këto akte.

“Për sa kohë që Beogradi vazhdon t’i mbrojë ata në vend që t’i dorëzojë, nuk mund të flasë seriozisht për paqe. Serbia po e mashtron diskursin për paqen, ndërsa në praktikë po modernizon vetëm format tradicionale të luftës që ka përdorur më parë”, ka përfunduar Kuçi.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026