Temperaturat e larta në sallat gjyqësore po vështirësojnë mbajtjen e seancave në Pallatin e Drejtësisë në Prishtinë, ndërsa në disa raste po ndikojnë edhe në shtyrjen e tyre. Gjatë kësaj periudhe, Pallati i Drejtësisë përballet vazhdimisht me temperatura të larta, për shkak të mosfunksionimit të duhur të sistemit të klimatizimit. Ky problem, sipas Këshillit Gjyqësor të Kosovës, kërkon kosto të lartë për sanim të plotë, raporton KosovaPress.
Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Besim Spahiu, thotë për KosovaPress se për këtë çështje ka takuar menaxhmentin e gjykatës, sekretariatin dhe Këshillin Gjyqësor të Kosovës.
“Me datë 10 qershor i jam drejtuar me shkrim menaxhmentit të gjykatës, sekretariatit dhe Këshillit Gjyqësor për mungesë të klimatizimit por nga ta nuk marrë asnjë përgjigje, kurse me datë 17 kam shkuar në Këshill Gjyqësor për të kërkuar sqarim rreth problemit ku u takova me kryesuesin e këshillit dhe më informojnë se kanë angazhuar një ekip për sanimin e problemit të klimatizimit dhe më premtojnë se brenda 20 ditësh do të rregullohet klimatizimi në një masë të konsiderueshme, pasi që për sanimin e plotë duhet kohë dhe mjete buxhetore të cilat për momentin nuk i kanë në dispozicion. Me 25 qershor kemi një sanim të vogël të klimatizimit. Unë si kryetar i sindikatës më 1 korrik jam drejtuar me kërkesë zyrtare menaxhmentit të gjykatës dhe KGJK-së duke kërkuar reduktimin e përkohshëm të orarit të punës. E përshëndes vendimin e KGJK-së, presim që këto masa të zbatohen sa më shpejt. Unë deri më tani nuk kam pranuar ndonjë njoftim zyrtar për këtë vendim”, tha Spahiu.
Për vështirësitë që po shkaktohen nga temperaturat e larta në sallat gjyqësore ka folur edhe avokati Arbër Jashari.Jashari bën të ditur se Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë i ka shtyrë të gjitha seancat që janë vlerësuar si jo urgjente.
Shtyrja e seancave gjyqësore sipas Jasharit, ndikon drejtpërdrejt në të drejtat e palëve në procedurë penale, duke u shkelur të drejtat e tyre.
“Gjykata Themelore në Prishtinë është në dijeni për vendimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, me të cilin kryetarët e gjykatave autorizohen të ndërmarrin masa për reduktimin ose pezullimin e punës, nëse paraqitet nevoja si pasojë e temperaturave të larta. Megjithatë, në Pallatin e Drejtësisë, gjatë dy ditëve të fundit, është vërejtur një përmirësim i gjendjes sa i përket temperaturave në ambientet e punës, përkatësisht sistemi i klimatizimit ka filluar të funksionojë. Në këto rrethana, Gjykata aktualisht nuk e vlerëson të arsyeshme ndërmarrjen e masave për reduktimin ose pezullimin e punës. Megjithatë, Gjykata do të monitorojë në vazhdimësi situatën dhe, nëse paraqitet nevoja, do të zbatojë masat e përcaktuara në vendimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, me qëllim të mbrojtjes së shëndetit dhe sigurisë së gjyqtarëve, stafit administrativ dhe palëve”, thuhet në përgjigje.
Tashmë iu mbetet kryetarëve të gjykatave në Pallatin e Drejtësisë, që në bazë të vlerësimit të mund të reduktojnë ose pezullojnë punën. /A. Shala/