(Reagim i Institutit “Octopus” ndaj deklaratës së Eparkisë së Rashkës-Prizrenit)
Instituti për Studime të Luftës Hibride “Octopus” e vlerëson deklaratën e Eparkisë së Rashkës-Prizrenit si një përmbledhje të narrativave manipuluese të Serbisë, e cila mbron në mënyrë implicite ministren Paunoviq.
Në komunikimin strategjik, ky është një model i njohur i menaxhimit të krizës informative, duke e transferuar narrativën te Kisha si institucion fetar me peshë morale dhe simbolike.
Deklarata “Pozita gjithnjë e më e rëndë e popullit serb dhe e Kishës në Kosovë e Metohi”, përdor një gjuhë që tejkalon shqetësimet për të drejtat fetare, duke përsëritur narrativën se gjoja serbët në Kosovë po përballen me “zhdukje të plotë”.Kisha Ortodokse Serbe, e cila pak ditë më parë e dekoroi mohimin e Reçakut dhe “legalisten” e krimeve të luftës në Kosovë me “Urdhrin e Shën Savës” për Danica Marinkoviqin, aktivizohet si një faktor amortizues ndaj presionit ndërkombëtar, duke rehabilituar Millosheviqin dhe legjitimuar qëllimet e “Botës Serbe”.
Ky është projekti hegjemonist i përshtatur në rrethanat e pasluftës, të cilin Serbia synon ta avancojë përmes strategjisë hibride, duke relativizuar përgjegjësinë për krimet e dokumentuara dhe të dënuara ndërkombëtarisht.
Pretendimi i Kishës se pa reagim të menjëhershëm ndërkombëtar mund të ndodhë “zhdukja e popullit serb”, është konstruksion viktimizues me ton alarmist, që synon përmbysjen e roleve, me përceptimin për serbët si viktima ekzistenciale.
Në aspektin e luftës hibride, deklarata përmban elemente të qarta të operacioneve të ndikimit:
- transferim të narrativës nga aktorët politikë te autoriteti moral i Kishës;
- amplifikim të kërcënimit përmes termave si “zhdukje”, “presion sistematik” dhe “persekutim”;
- ndërkombëtarizim të narrativës përmes thirrjeve drejtuar KFOR-it, BE-së, OKB-së dhe organizatave ndërkombëtare;
Instituti “Octopus” rikujton se mbrojtja e të drejtave dhe e trashëgimisë së komuniteteve pakicë, përfshirë Kishën Ortodokse Serbe, janë të garantuara në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës, në bashkërendim dhe vlerësim me partnerët ndërkombëtarë.
Prandaj, ashtu si me retorikën e dënuar të ministres Paunoviq dhe kërkesën e përsëritur ndaj Vuçiqit për dorëzimin e “heroit” Radoiçiq, Bashkimi Evropian, NATO dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet ta trajtojnë me seriozitet edhe kërcënimin që paraqet Kisha Serbe përmes glorifikimit të terroristëve dhe dekorimit të mohuesve të gjenocidit.Përndryshe, transformimi i një deklarate fetare në një mesazh të komunikimit strategjik është sfidë serioze për sigurinë dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.