Gazetari serb rikujton krimet Millosheviqit: Deklarata e Paunoviqit sugjeron se ai s’e përmbushi qëllimin ndaj Kosovës
Lajme
Lexohet për: 4 min.
Dëgjoje me zë...
Gazetari serb rikujton krimet Millosheviqit: Deklarata e Paunoviqit sugjeron se ai s’e përmbushi qëllimin ndaj Kosovës
Paunoviq
17/07/2026 - 14:51
Linku u kopjua

Deklarata fashiste e ministres serbe, Snezhana Paunoviq karshi Kosovws nuk është vetëm një retorikë politike, por një pranim i hapur i një ideologjie që justifikon spastrimin etnik. Kwshtu ka vlerwsuar gazetari serb dhe një nga themeluesit e gazetës Danas, Rade Radovanoviq, i cili ka publikuar një analizë të gjerë ku kritikon ashpër deklaratën e ministres serbe për Administratë Shtetërore dhe Vetëqeverisje Lokale.

Snezhana Paunoviq, deklaroi tw shtunwn se, po të ishte në vend të Slobodan Millosheviqit në vitin 1998, do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën”.

Kjo deklaratë, siç ka shkruar ai, në mënyrë të tërthortë sugjeron se Millosheviqi nuk e përmbushi plotësisht atë që ajo e konsideron si “detyrën kryesore”, dëbimin e shqiptarëve nga Kosova.

Në analizë rikujtohen të dhënat e dokumentuara për luftën në Kosovë. Sipas autorit, gjatë viteve 1998-1999, policia serbe, Ushtria Jugosllave dhe formacionet paramilitare dëbuan mbi 863 mijë shqiptarë drejt Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Malit të Zi, duke e cilësuar këtë si eksodin më të madh në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore.

Ai i referohet edhe shifrave të organizatave për të drejtat e njeriut, sipas të cilave gjatë luftës u vranë ose u zhdukën 13.535 persona, prej tyre 10.812 shqiptarë, 2.197 serbë dhe 526 pjesëtarë të komuniteteve të tjera. Ndër viktimat civile, thuhet se ishin 8.676 shqiptarë, 1.196 serbë dhe 445 persona të kombësive të tjera.

Autori rikujton edhe deklaratën e Vojisllav Sheshelit në prag të bombardimeve të NATO-s, i cili kishte thënë se, nëse NATO do të sulmonte, “shqiptarë në Kosovë nuk do të mbeteshin”. Sipas gazetarit, kjo pasqyronte strategjinë politike të regjimit të atëhershëm serb.

Në tekst përmenden edhe një sërë krimesh të dokumentuara gjatë luftës, përfshirë vrasjen e avokatit Bajram Kelmendi dhe dy djemve të tij, ekzekutimin e mjekut Izet Hima dhe avokatit Urim Rexha në Gjakovë, si dhe vrasjen e profesorit Fehmi Agani.

Analiza ndalet edhe te masakrat ndaj civilëve shqiptarë në Krushë të Madhe dhe Krushë të Vogël, ku autori përshkruan dëbimin e grave dhe fëmijëve drejt Shqipërisë, ndërsa burrat u ekzekutuan dhe trupat e tyre u dogjën për të fshehur gjurmët e krimit.

Po ashtu përmendet operacioni “Reka” në zonën e Gjakovës, gjatë të cilit, sipas analizës, u vranë mbi 350 shqiptarë, ndërsa rreth 4.000 gra, fëmijë dhe të moshuar u dëbuan drejt Shqipërisë.

Gazetari rikujton se për krimet e kryera në Kosovë, në Tribunalin e Hagës u gjykuan dhe u dënuan disa ish-gjeneralë serbë, ndërsa edhe Slobodan Millosheviqi u akuzua për pjesëmarrje në një ndërmarrje të përbashkët kriminale që synonte spastrimin etnik në Kosovë, por vdiq në vitin 2006 para se të shpallej vendimi përfundimtar.

Në përfundim, autori vlerëson se deklarata e ministres Paunoviq përbën një përpjekje për të relativizuar dhe keqpërdorur një periudhë tragjike të historisë, duke theksuar se e vërteta për krimet e luftës në Kosovë vazhdon të mohohet ose të shtrembërohet në Serbi. Ai e mbyll analizën me një thirrje që, sipas tij, manipulimi me të kaluarën dhe justifikimi i spastrimit etnik duhet të marrin fund.

Ndërkaq vetë Paunoviq, për këto deklarata skandaloze i ka kërkuar falje Vuçiqit, por jo shqiptarëve.

Lidhur me mosreagimin e Listës Serbe për këtë çështje, ka folur sot edhe kryeredaktorja e KoSSev-it, Tatjana Lazareviq, e cila ka thënë se deklarata e paunoviqit përbën një shembull tipik të gjuhës së urrejtjes, transmeton KosovaPress.

Ndërkohë, deklaratat e Paunoviqit për spastrim etnik të Kosovës erdhën gjatë një emisioni për Kuririn serb, fundjavën e kaluar.

KosovaPress ka raportuar të hënën për deklaratat fashiste të saj, nërsa prej atëherë kanë reaguar edhe akterë politikë në rajon e më gjerë.

Të enjten, është dorëzuar edhe kërkesa zyrtare për shkarkimin e saj nga pozita e ministres në Serbi.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026