Shqipëria mbetet në territor pozitiv për sa i përket numrit total të vizitorëve të huaj, por të dhënat e muajit qershor 2026 sinjalizojnë një frenim të fortë të ritmit të rritjes turistike. Përmes një analize të detajuar të shifrave, Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka ngritur shqetësimin se agjendat konfliktuale, protestat dhe tensioni publik po i faturohen drejtpërdrejt ekonomisë së turizmit.
Sipas kreut të dikasterit të Turizmit, perceptimi i pasigurisë ka stepur vizitorët e huaj, duke sjellë anulime rezervimesh dhe rënie domethënëse nga disa prej tregjeve kryesore dërguese.
Statistikat e prezantuara tregojnë një rënie drastike të dinamikës së rritjes në krahasim me muajt e parë të vitit. Konkretisht:
• Muaji Qershor- Gjatë qershorit 2026, Shqipëria regjistroi 1,346,279 vizitorë të huaj, një rritje me vetëm 17,075 vizitorë (+1.28%) krahasuar me qershorin e vitit 2025.• Bilanci i 6-mujorit- Për gjashtëmujorin e parë të 2026-ës, vendi priti 5,059,069 vizitorë (+6.25% në total). Megjithatë, deri në maj, rritja e përgjithshme ishte +8.2%. Përfshirja e qershorit të dobët e uli mesataren, duke shënuar një ngadalësim prej afro 24% të dinamikës totale të rritjes.
Humbjet nga 5 tregjet kryesore
• Maqedonia e Veriut- 15,223 vizitorë më pak
• Turqia- 11,062 vizitorë më pak
• Mali i Zi- 6,212 vizitorë më pak
“Në një sektor si turizmi, perceptimi i sigurisë, normalitetit dhe stabilitetit është vendimtar. Klima e krijuar nga protestat, tensioni publik dhe imazhi negativ i përcjellë në tregjet e huaja kanë rritur pasigurinë,” thekson Gonxhja në reagimin e tij.
Duke e cilësuar turizmin jo thjesht si një statistikë por si “ekonomi reale, vende pune dhe të ardhura për familjet”, ministri e mbylli deklaratën e tij me një apel të fortë publik: “Është thelbësore për të gjithë të mbrojmë industrinë turistike nga çdo agjendë destabilizuese e konfliktuale!”