Në gusht të vitit 1963, pak para vizitës së Nikita Hrushqovit në Jugosllavi, UDB-ja ndërmori një valë arrestimesh preventive ndaj ish-të burgosurve politikë shqiptarë. Mes tyre ishte edhe Sami Peja. Ky rrëfim, i parë me sytë e djalit të tij 14-vjeçar, sjell një dëshmi tronditëse për frikën, padrejtësinë dhe qëndresën e familjeve shqiptare nën regjimin jugosllav.
Shkrimi i plotë nga Blerim Peja, djali i Sami Pejës.
Më 20 gusht 1963, Nikita Hrushqov, Kryetar i BRSS, zhvilloi një vizitë zyrtare në Jugosllavi. Pak ditë para ardhjes së tij, aparati i sigurimit shtetëror – UDB – në Pejë urdhëroi izolimin e të gjithë ish-të burgosurve politikë. Atëherë isha 14 vjeç.
Në mbrëmjen e 19 gushtit 1963 kishim një mysafir në shtëpi, i cili qëndroi deri rreth orës 23:30. Unë dhe baba e përcollëm deri te porta e oborrit. Sapo u largua mysafiri, babai vuri re një makinë milicie të ndalur matanë rrugës. Nga ajo zbriti një burrë. Ishte Vuja Slaviqi, shefi i UDB-së për Pejë. Samiu e njohu menjëherë.— Shpresoj se nuk do të më mbajnë gjatë, — tha, me një qetësi të shtirur.
Nëna përpiqej të më qetësonte: edhe herë të tjera e kanë marrë dhe pas tre a katër orësh e kanë liruar. Por kësaj here brenga ishte më e madhe. Vetë ardhja e Vujës personalisht ishte shenjë e keqe. As unë, as nëna nuk fjetëm atë natë. Prisnim kthimin e Samiut. Gjyshi nuk ndodhej në shtëpi; ai kishte shkuar në Paraqin, në fabrikën e tekstilit, për të blerë shpata tezgjahu.
— Sot do ta mund babën tënd në shah!
— Baba nuk është këtu… mbrëmë e ka marrë milicia.
Fytyra iu ngrys. U kthye pa thënë asnjë fjalë. E shoqërova deri te dera e oborrit. E pashë duke ecur ngadalë, i menduar, në drejtim të mullirit të Bakraqëve. Pa kaluar as pesëdhjetë metra, një makinë milicie ndaloi pranë tij. Dy milicë zbritën, i thanë diçka dhe e futën në makinë. Edhe ai u burgos.
Dy ditë pas burgosjes së Samiut, një i njohur erdhi në shtëpi dhe tha:
— Samiu po kërkon një batanije.
U burgosën edhe Qazim Berisha dhe Enver Berisha, si dhe të tjerë, emrat e të cilëve sot nuk i mbaj mend. Në Beograd, në stacionin e trenit, ishte arrestuar edhe Ali Boletini.
Një ditë pas arrestimit të babait, në kafenenë e Hotel Korzo, milicia arrestoi Musa Xhukën , shokun e babait. Ai punonte në shank. Kur milicët i thanë se ishte i arrestuar, ai iu përgjigj me ironi:E morën para syve të klientëve.
Musa Gjukës i kishte vdekur gruaja. Pas burgosjes së tij, në shtëpi, pa përkujdesje kishin mbetur vajza e tij Eminja 14 vjeçare dhe tre vëllezërit e saj të vegjël: Shkëlzeni pesë vjeç, Skënderi katër vjeç dhe Enveri tre vjeç.
“Nëna më ka vdekur, babin ma keni burgosur. Nuk dua dhe nuk mund të shkoj në shtëpi pa babin. Unë do të qëndroj këtu, në këtë bankë, me vëllezërit e mi të vegjël, derisa të ma lironi babin. A po e shihni sa të vegjël janë? Edhe unë jam e vogël. Si do të kujdesem për ta?”
Vajza qëndron në bankë, në hollin e milicisë, deri në muzg. Në muzg kthehet në shtëpi. Të nesërmen shkon përsëri në hollin e milicisë, bashkë me vëllezërit, dhe sërish rrinë aty deri në mbrëmje. Me vete ajo mbante një strajcë me ushqim për vete dhe për vëllezërit.
Ky veprim përsëritet disa ditë radhazi. Drama që shkaktonte vajza 14-vjeçare, së bashku me vëllezërit e saj, në hollin e milicisë nuk mbeti pa jehonë në qytetin e Pejës. Në qytet fillon të flitet me admirim dhe dhembshuri për qëndrimin e vajzës së zgjuar dhe guximtare.
UDB-ja, në vazhdën e misionit të vet për persekutimin e shqiptarëve, vepronte në mënyrë tepër jo njerëzore. Ajo kishte burgosur babanë e katër jetimëve. Shkaku i arrestimit ishte se, ky baba që duhej të kujdesej për fëmijët e tij që kishin mbetur pa nënën e tyre, përbënte rrezik për sigurinë e Hrushqovit, i cili sapo kishte ardhur në vizitë në Jugosllavi dhe kalonte kohën duke shëtitur në rezidencat e shumta dhe tepër luksoze të Titos. Për t’u rikujtuar, Titoja kishte tren të veçantë , të dedikuar vetëm për udhëtimet e tij dhe për suitën përcjellëse; kishte anije (rezidenca lundruese) që përdorej ekskluzivisht nga ai dhe ata që e shoqëronin; kishte gjithashtu aeroplan të posaçëm . Shumë kohë ai kalonte në vilën e vet shumë luksoze në ishullin Brione të Kroacisë. Ai jetonte si perandor, dhe pasuria e tij private ishte marramendëse.
Lirimi i Musa Xhukës zgjoi shpresën se edhe të burgosurit e tjerë do të liroheshin. Dhe kështu ndodhi. Pas disa ditësh filluan të lirohen edhe të burgosurit e tjerë; në çdo dy ose tri ditë lirohej nga një i burgosur.
Nga jetëshkrimi, në përpilim e sipër, i Sami Pejës.