Dita e dytë e Samitit “PowerToHR”, përvojat e kompanive lidere botërore
Drejtat Autoriale
Lexohet për: 6 min.
Dëgjoje me zë...
Dita e dytë e Samitit “PowerToHR”, përvojat e kompanive lidere botërore
sumiti-i-veses-foto1234
07/05/2026 - 16:00
Linku u kopjua

Sot u mbajt dita e dytë e samitit global PowerToHR, i cili ka sjellë mbi 100 sesione interaktive dhe një numër të madh folësish nga kompani, lidere botërore si Google, Microsoft, OpenAI, Zoom, Rakuten Viber dhe Amazon.

Në kuadër të këtij eventi, eksperti i pavarur i teknologjisë kreative në OpenAI, Roger Werkhoven, i cili është i lidhur me fazat e hershme të zhvillimit të OpenAI, përfshirë punën në DALL·E dhe integrimin e tij në ChatGPT, theksoi rëndësinë e zhvillimeve në inteligjencën artificiale dhe ndikimin e tyre global.

“Kjo ishte revolucionare. Prandaj, samite si ky më ftojnë si folës për të folur rreth historisë, pionierizmit në AI dhe gjithashtu të ardhmes së AI-së. Për mua, është e mahnitshme që ftohem në vende si Kosova. Nuk ka ndonjë arsye tjetër që dikush nga Amsterdami të vizitojë Kosovën, përveç se kur ftohet në një samit kaq të mirë si ky. Kam parë samite në të gjithë botën, të mëdha e të vogla. Ky është vërtet i veçantë, sepse i kushtohet shumë vëmendje atmosferës. Dekorimet e bukura, dritat, organizimi, madje edhe perdet. Është shumë bukur. Më pëlqen shumë të jem këtu. Në shumë samite të tjera është thjesht si një sallë fabrike. Kështu që kjo më pëlqen shumë. Edhe njerëzit janë të ditur dhe shumë miqësorë. Kjo është shumë e këndshme”, tha Werkhoven.

Ai gjithashtu foli për përvojën e tij në samit dhe rëndësinë e diskutimeve mbi inteligjencën artificiale në fusha të ndryshme profesionale.

“Përvoja ime personale në këtë samit është se njerëzit janë vërtet kureshtarë. Shumica janë nga fusha e burimeve njerëzore. Natyrisht, unë kam një histori dhe përvojë mbi atë çfarë do të thotë për njerëzit të përballen me një teknologji të re apo edhe të zëvendësohen nga një teknologji e re nëse nuk kuptojnë si ta përdorin atë. Të zëvendësosh njerëzit me një teknologji të tillë është diçka shumë e gabuar. Dhe këtu sheh që të gjithë janë kureshtarë dhe duan të dëgjojnë historinë nga dikush që ka qenë brenda historisë së hershme të OpenAI, por njëkohësisht edhe jashtë saj, sepse unë nuk jam nga fusha e burimeve njerëzore. Kjo është ajo që njerëzit e gjejnë interesante dhe për mua është shumë bukur gjithashtu të më duhet të mendoj se çfarë mund të nënkuptojë inteligjenca artificiale për burimet njerëzore dhe çfarë absolutisht nuk duhet të jetë”, tha Werkhoven.

Në këtë samit mori pjesë edhe Vasilica Kalajdziska, konsulente e talenteve në Globatalent, e cila ndau përvojën e saj profesionale dhe rëndësinë e rrjetëzimit global.

“Punoj me tregun evropian, gjithashtu me tregun e GCC dhe aktualisht po punoj edhe me klientë nga SHBA. Më ndihmon shumë që këtu kam mundësinë të shoh kaq shumë prezantime dhe ekspertë që vijnë nga kompani globale dhe të krahasoj përvojat e tyre me përvojën time dhe punën time globale…Në fakt prezantimi im fokusohet në aspektet që lidhen me përvojën time dhe në disa sfida dhe pengesa, le të themi, që kam hasur në punën time. Qëllimi i prezantimit tim, përmes bisedës së hapur që po bëj, është të ndaj këto përvoja dhe të ndihmoj profesionistët dhe kompanitë globale që t’i përballojnë këto pengesa në një mënyrë më të mirë, të paktën më të mirë se sa i kam përballuar unë…Mendoj se Kosova është në rrugën e suksesit, duke u zhvilluar në një trajektore që mund të çojë vetëm drejt suksesit”, tha Kalajdziska.

Në  samitin “PowerToHR”, ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë diskutuan për sfidat e tregut të punës, zhvillimin e kapaciteteve dhe ndikimin e inteligjencës artificiale në organizata.

Deana Nannskog, i cili punon me strategjinë globale të aftësive në IKEA dhe është themelues e CEO i Kin Innovation Agency, foli për sfidat që organizatat kanë në ndërtimin e kapaciteteve të reja, pavarësisht investimeve të mëdha në trajnim dhe zhvillim profesional.

Mansour tha se organizatat duhet të fokusohen në projektimin e kapaciteteve dhe jo vetëm në menaxhimin e performancës.

“Organizatat nuk kanë investuar kurrë më shumë te njerëzit sesa sot. Më shumë trajnime, më shumë mjete, më shumë AI, më shumë programe dhe megjithatë shumë pak prej tyre përkthehen në kapacitete të reja. Nëse i pyet drejtuesit sinqerisht: ‘A i keni kapacitetet që ju duhen për të realizuar strategjinë tuaj?’, përgjigjja pothuajse kudo është jo. Pra kemi miliarda të investuara, por kapaciteti ende mungon. Ata kishin ndryshuar, por sistemi dhe organizata nuk kishin ndryshuar. Aktiviteti shpërndahet, ndërsa kapaciteti grumbullohet. Sistemi që kemi projektuar sot përcakton kapacitetin që do të kemi nesër. Më parë mund të menaxhonim performancën. Tani nuk mundemi më. Tani duhet të projektojmë kapacitetin. Nuk mund ta menaxhojmë thjesht — duhet ta dizajnojmë.”, tha ai.

Ndërkaq, Partneri Menaxhues në Data4X, Shpend Ahmeti, prezantoi të dhëna mbi tregun e punës në Kosovë, strukturën e fuqisë punëtore dhe sfidat që lidhen me pjesëmarrjen e grave në ekonomi.

Sipas tij, një nga problemet kryesore mbetet pjesëmarrja e ulët e grave në tregun e punës dhe mungesa e mbështetjes institucionale për kujdesin ndaj fëmijëve.

“Një nga sfidat kryesore që përballet ekonomia e Kosovës është pjesëmarrja e ulët në fuqinë punëtore. Dhe kjo pjesëmarrje e ulët vjen kryesisht nga gratë që nuk janë aktive në tregun e punës. Prandaj, ajo që duhet të bëjnë qeveria dhe politikëbërësit është të rrisin numrin e institucioneve për kujdesin ndaj fëmijëve, në mënyrë që të rritet pjesëmarrja e grave në fuqinë punëtore. Si rezultat, do të rritet edhe produktiviteti dhe gjithashtu Prodhimi i Brendshëm Bruto. Sa më shumë gra të hyjnë në tregun e punës, aq më shumë njerëz do të jenë të pavarur dhe nuk do të mbështeten në të ardhurat e bashkëshortëve apo në ndihmat sociale që marrin. Kosova, vetëm si një pasqyrë, ka situatën ku secili i punësuar mbështet deri në katër anëtarë të familjes, ndërsa mesatarja rajonale në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor është rreth 2.3 deri në 2.6. Në Evropë kjo shifër është shumë më e ulët. Pra barra bie mbi fuqinë aktive punëtore dhe për këtë arsye duhet të rrisim pjesëmarrjen e grave në tregun e punës.”, tha Ahmeti.

Organizatorët e samitit PowerToHR theksojnë se po synohet të lidhë profesionistë nga e gjithë bota dhe të sjellë diskutime të thelluara mbi të ardhmen e punës dhe ndikimin e inteligjencës artificiale në industri të ndryshme.


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026