Incidenti në Magurë e Lipjanit: Palët japin versione për përleshjen dhe akuzat për sulm
Lajme
Lexohet për: 4 min.
Dëgjoje me zë...
Incidenti në Magurë e Lipjanit: Palët japin versione për përleshjen dhe akuzat për sulm
shtepiaa
27/06/2026 - 18:02
Linku u kopjua

Një ditë pas protestës së mbajtur para Gjykatës në Lipjan, ku veteranë të UÇK-së dhe qytetarë kërkuan lirimin e Bekim Metës, palët e përfshira në përleshjen e ndodhur në fshatin Magurë kanë rrëfyer për KosovaPress versionet e tyre për ngjarjen.

Nga arresti shtëpiak, Skënder Shahini ka rrëfyer për KosovaPress versionin e tij lidhur me përleshjen e ndodhur në fshatin Magurë të Lipjanit, për të cilën Gjykata në Lipjan, të premten i ka caktuar masën e arrestit shtëpiak prej 30 ditësh.

Ai thotë se ai së bashku me grupin ku bënte pjesë kishte vepruar vetëm në vetëmbrojtje, pasi sipas tij, rreth 20 persona kishin shkuar për ta sulmuar veteranin e UÇK-së Bekim Meta.

Sipas Shahinit, pas ndërhyrjes së policisë, të gjithë personat e përfshira janë dërguar për trajtim mjekësor dhe më pas janë ndaluar për 48 orë.

Shahini pretendoi se shkaku i incidentit ishte një kontest për një parcelë për të cilën tha se ishte dhënë në shfrytëzim me leje nga komuna. Sipas tij, personat e përfshirë në incident kanë tentuar të marrin me forcë atë parcelë.

Ai tha se edhe pas ngjarjes vazhdon të ndihet i rrezikuar.

"Mua më kanë goditur në kokë, kam humbur vetëdijen - ndihemi të rrezikuar"

“Kanë pasur thupra hekuri, shkopinj bejsbolli, shata e lopata. Mua më kanë goditur në kokë. Kam humbur vetëdijen. Në spital më kanë bërë qepje në kokë në katër anët Vec jam mbrojtur, nuk kam sulmuar askënd. Ndihemi të rrezikuar, sepse ata mund të vijnë përsëri në cdo kohë ne  presim  qe të kthehenn prap kthehen prapë, nëse vijnë prapë e sillen si herën e kaluar, do ta mbrojmë pragun e shtëpiisë, do tti mbrojmë fqinjët”, u shpreh ai

Edhe Hysen Meta, babai i veteranit dhe invalidit të UÇK-së Bekim Metës ka rrëfyer për KosovaPress versionin e tij të ngjarjes. Ai ka pretenduar se konflikti kishte nisur pas provokimeve dhe se pala tjetër kishte qenë e pajisur me mjete të ndryshme.

Ai tha se disa persona janë lënduar në përleshje dhe se djali i tij ka pësuar lëndime serioze.

“Kanë provokuar kanë përcjellë terrenin edhe me drona, me kerre kanë pasur me vete tuli briskash, tuli çekiçash, tuli hekurash njëri  doli prej mbrapa edhe tha kemi me e bo ma zi se në ’99-tën , në gjak kam me e bo  gjakun’. Aty ka filluar konflikti kanë dalë kojshitë, ne kemi dalë për  Bekimin, Bekimi ka dalë për neve. Qashtu ka qenë. Me ndihmëm e Zotit janë ndalur, se kanë qenë të gjithë të armatosur… Bekimi i lënduar rëndë në dorë, e ka dorën e thyme kan marrë trajtim mjekësor”, tha ai.

Babai i Bekim Metës shtoi se familja ndihet ende e pasigurt pas ngjarjes dhe se situata mund të kishte përfunduar më keq pa ndërhyrjen e policisë.

Ndërkaq, Isuf Avdullahu, banor që jeton pranë vendit ku ndodhi përleshja në Magurë, ka rrëfyer për KosovaPress momentet e ngjarjes, duke thënë se gjithçka ka nisur pasi kanë ardhur ata me varros motrën dhe qëllimi i tyre ishte për ta kryer sulmin.

Avdullahu shtoi se marrëdhëniet e tij me banorët e tjerë të zonës kanë qenë gjithmonë të mira.

“Unë mirë kam kalu gjithmonë me këta, ani pse jam prej komunitetit ashkali. S’më kanë pa kurrë ndryshe, nuk kemi pasur probleme më herët”, deklaroi ai.

Rasti lidhet me një incident që kishte ndodhur tri ditë më parë në fshatin Magure të Lipjanit ku dyshohet që një grup personash të komunitetit rom, kanë sulmuar Skender Shahinin para shtëpisë së tij si dhe veteranin e luftës së UÇK-së, Bekim Meta.

Gjykata në Lipjan vendosi masë të arrestit shtëpiak për veteranin dhe invalidin e luftës së UÇK-së, Bekim Meta dhe për Skendër Shahinin, palë të përfshira në incident.


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026