Kombëtarja e Kosovës në basketboll ka mbyllur fazën parakualifikuese për FIBA EuroBasket 2029 me dy humbje ndaj Shqipërisë (82:89) dhe Sllovakisë (86:83), rezultate që kanë ngritur shqetësime për formën e ekipit, organizimin dhe zhvillimin e basketbollit vendor.
Duke folur në SportCast, Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu, ka bërë të ditur se këto rezultate duhet të shërbejnë si sinjal për një proces të ripërtëritjes së Kombëtares.
Ish-basketbollisti dhe ish-trajneri i Trepçës, Naim Hajrizi, vlerëson se problemet e fundit janë pasojë e një qasjeje të gabuar në zhvillimin e basketbollit vendor, duke kritikuar hapësirën e pamjaftueshme që u jepet lojtarëve të rinj kosovarë në klubet vendore.
“Tash, kur e shikon në aspektin e kohës që ekzistojmë si shtet dhe që kemi filluar me e zhvillu basketbollin, ndoshta është një lloj goditjeje. Duke e pasur parasysh se në kohërat më të hershme, sigurisht kemi pasur reputacion më të fortë, me lojtarë cilësorë vendorë, mendoj se këto dy ndeshjet e fundit, këto dy humbjet e fundit, janë rezultat i një politike të gabuar të klubeve, më së pari, dhe sigurisht e përkrahur edhe nga federata. Por klubet gabimet më të mëdha i bëjnë që nuk ua japin mundësinë lojtarëve vendorë. Lojtarët vendorë, sidomos këto gjeneratat e reja, kanë ambicie, kanë vullnet me ushtru dhe me u ngritë, mirëpo kur po vjen puna, pasi e kalojnë moshën 18-vjeçare, mandej po duhet me ndejtë në bankë ose në tribunë me i shiku lojtarët që po natyralizohen ose po luajnë të huajt”, tha Hajrizi.“Nuk e besoj që klubet mendojnë i bijnë trajnerët ndër më të mirët, ndoshta në rajon, unë i vlerësoj shumë, edhe Adis Beçiragiqin, edhe Rami Hadarin, edhe trajnerët që kanë qenë në Bashkim, të gjithë domethënë kanë kualitet. Mirëpo ata duhet me u shfrytëzu të paktën me punu me gjeneratat jo domosdoshmërisht me krejt gjeneratat, mirëpo të paktën me i nda nja katër-pesë talenta, të cilët duhet me u punu me iu dhënë një angazhim shumë më i madh, që ata me punu profesionalisht dhe me u ngrit cilësia edhe e basketbollit vendor”, u shpreh Hajrizi.
Ish-trajneri i Trepçës paralajmëroi se nëse vazhdohet me këtë model, pasojat mund të ndihen jo vetëm te Kombëtarja, por edhe te klubet kosovare.