Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka reaguar ndaj kritikave dhe këshillave që, sipas tij, i drejtohen kësaj partie, duke thënë se LDK i takon anëtarësisë dhe jo funksionarëve.
Haziri edhe dje ka thënë se kjo parti u takon idealistëve dhe se idealistët janë anëtarësia, duke theksuar se është koha që "LDK-ja t’u kthehet idealistëve, anëtarësisë".
"Periudha post-independente dhe post-Rugoviste, veç një gjë e ka konfirmu: që pa LDK-në nuk ka as zgjidhje e as zgjedhje. Stabiliteti e normalizimi i Republikës kalon përmes zyrave të LDK-së! Ia kemi borxh anëtarësisë dhe të ardhmes së Republikës. Koha më ka dhënë të drejtë që rikthimi i madh i LDK-së ndodh nga lart-poshtë, me marrëveshje të madhe politike, pa e dëmtu demokracinë e brendshme", shkroi Haziri.
“I duroj e mundohem me i kuptu krejt ata që merren me LDK-në duke na këshillu e mësu se qysh duhet me u sjell, çka duhet e çka nuk duhet të bëjmë. Bile edhe ata që shpesh ju referohen autoriteteve si ‘patericë’, ‘harrën’ e çka jo tjetër. E di saktë për kend e bëjnë e për çfarë agjendash”, shtoi Haziri.