Procesi i verifikimit të pakove me fletëvotime të ardhura përmes postës nga votuesit jashtë Kosovës po vazhdon në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), ndërsa deri më tani janë aprovuar mbi 7 mijë prej tyre.
Zëdhënësi i Komisioni Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, nga Qendra Komunale e Numërimit në Prishtinë, bëri të ditur se deri sot janë shqyrtuar mbi 7 mijë pako të supozuara me fletëvotime. Sipas tij, 7 mijë e 153 prej tyre janë aprovuar, ndërsa 142 janë refuzuar.
Ndërkohë bëri të ditur se në 13 Qendra Komunale të Numërimit, procesi i verifikimit dhe numërimit ka përfunduar.
Gjithashtu tha se do bëhet edhe skanimi i listës së votuesve të përdorur në vendvotime të rregullta, listës së përdorur në votimin e personave me nevoja të veçanta dhe votimi në përfaqësi diplomatike.
“Në QNR është duke u bërë vlerësimi i pakove të supozuara me fletëvotime jashtë Kosovës. Qëllimi është për tu vërtetuar se a janë nga votuesit i regjistruar. Do bëhet edhe skanimi i listës së votuesve të përdorur në vendvotime të rregullta, i listës së përdorur në votimin e personave me nevoja të veçanta dhe votimi në përfaqësi diplomatike”, shtoi ai.
“KQZ qysh në fillim të këtij procesi zgjedhor për të trajtuar dhe adresuar çështjet problematike të cilat janë paraqitur në zgjedhjet e fundit parlamentare të dhjetorit, kishin të bënin me mos evidentimin e saktë të votave të kandidatëve për deputetë dhe disa nga QKN, ka përmirësuar rregullativën përmes aktit nënligjorë, KQZ ka plotësuar dhe ndryshuar rregulloren zgjedhore për QNR. Është paraparë që KQZ të vendos për rinumërimin deri në 10 përqind të vendvotimeve të një komune të caktuar të cilat paraprakisht numërohen në QKN. Qëllimi i këtij parashikimi nga KQZ që të bëhet deri në 10 përqind është që të sigurohet që ky proces është duke u bërë në rregull dhe vullneti i qytetarëve është duke u evidentuar me saktësi. Sipas gjetjeve KQZ do ndërmarrë hapa të tjerë”, tha ai.