Golf 9 me dizajn “gati të përfunduar”, frymëzim nga Golf Mk4
Volkswagen po punon për gjeneratën e nëntë të modelit legjendar Golf, ndërsa udhëheqësit e kompanisë kanë zbuluar detaje të reja për dizajnin dhe planet e ardhshme të veturës ikonike.
Në një intervistë, shefi i zhvillimit teknik të markës, Kai Grünitz, tha se dizajni final i Golf Mk9 është pothuajse i përfunduar.
“Ai të kujton Golf Mk4, që ishte një hap i madh përpara. Por është një veturë me pamje moderne dhe të përjetshme. Mendoj se do t’ju pëlqejë shumë. Nga aspekti i dizajnit, Golf-i ynë i ri elektrik është 96–97 për qind i përfunduar. Ne nisëm me një model proporcional bashkë me Andy Mindt dhe ishte aq i mirë sa Thomas Schäfer dhe unë thamë: ‘Mos ndryshoni asgjë’”, deklaroi ai.
Sipas Grünitz, pas lansimit do të ketë dy versione të Golf-it në shitje njëkohësisht: një model plotësisht elektrik dhe versioni aktual me motorë të elektrifikuar.
“Do të ketë dy platforma të ndryshme: një për modelin elektrik dhe një tjetër për modelin me motor me djegie të brendshme. MQB Evo do të vazhdojë me modelet plug-in hybrid që i njohim sot, ndërsa do të ketë edhe një Golf krejtësisht elektrik mbi platformën e re SSB“, tha ai.
Nga ana tjetër, shefi i markës Volkswagen, Thomas Schäfer, u shpreh shumë optimist për Golf Mk9, duke thënë se ekipi ka krijuar dizajnin më të mirë që kanë parë ndonjëherë.
“Jam shumë i bindur për lansimin e Golf 9. Po zhvillohet në mënyrën e duhur. Është e pabesueshme çfarë mund të bësh me një veturë për të cilën mendon se nuk mund të përmirësohet më. Por ekipi ka krijuar një dizajn që na ka lënë pa fjalë – pa dyshim më i miri që kemi parë ndonjëherë”, tha Schäfer për Motor1.
Një rol kyç në zhvillimin e modelit të ri ka edhe Andreas Mindt, ish-shefi i dizajnit të Volkswagenit, i cili tashmë udhëheq dizajnin për gjithë Grupin Volkswagen.
Mindt kishte paralajmëruar që në vitin 2024 se Golf-i i ri do të ruajë identitetin e tij të njohur.
“Ne duam të krijojmë një dizajn shumë të pastër dhe shumë të thjeshtë. Të marrim detajet më të mira nga historia e Golf-it. Një Golf gjithmonë do të jetë Golf. Edhe nëse i heqim të gjitha logot nga vetura, ju prapë do ta njihni si Golf”, kishte deklaruar ai.
Volkswagen foli edhe për vendimin që modeli ID.3 Neo të mos quhej “ID. Golf”. Sipas Schäfer, kompania kishte diskutuar mundësinë për ta quajtur modelin e ri Golf, por vendosi kundër kësaj ideje.
“Shumë njerëz thanë: le ta quajmë Golf. E diskutuam, por nuk është Golf. E kemi përmirësuar veturën – ende është ID.3 – por kishte nevojë për një emër të ri. Në fund vendosëm ta quanim Neo, si koncepti fillestar”, tha ai.