Gjykimi i ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, artistët shprehin pakënaqësi me ekspozitë
Lajme
Lexohet për: 4 min.
Dëgjoje me zë...
Gjykimi i ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, artistët shprehin pakënaqësi me ekspozitë
pamjeekspozit
04/04/2026 - 15:54
Linku u kopjua

Në përvjetorin e fillimit të gjykimit të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, artistë kosovarë nga shoqata “Artistët për Artistë” kanë organizuar ekspozitën me titull “Artistët në hap me luftëtarët”, duke shprehur përmes artit pakënaqësinë e tyre lidhur me këtë gjykim.

Kryetari i shoqatës së artistëve, Veton Gusia, tha se organizimi i kësaj ekspozite synon të adresojë shqetësimet e artistëve lidhur me gjykimin në Hagë.

“Në këtë rast jemi mbledhë me shprehë një paknaqësi lidhje me gjykimin e ushtarëve tonë, edhe kjo njëkohësisht po na duket sikur po na gjykojnë edhe viktimat e luftës, edhe refugjatët, e krejt vuajtjet tona. Kështu që ne jemi vetëm mbledhë si artistë me tema të ndryshme të lira për me shprehë paknaqësinë tonë lidhje me gjykimin e ushtarëve tonë në Hagë.” ,tha Gusia.

Ndërkaq, profesori dhe anëtari i shoqatës, Musë Prelvukaj, e cilësoi ekspozitën si një formë reagimi artistik ndaj zhvillimeve aktuale, duke theksuar se ajo bart karakter tematik dhe reflektues.

Lexo po ashtu
Moti sot
“ Është një ekspozitë tematike, është ekspozitë e revoltës sepse sot është përvjetori i gjykimit të krerëve, gjykimit të padrejtë të krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Me këtë dua të them se po gjykohen edhe të rënët, edhe të plagosurit, edhe heronjtë e gjallë, njerëzit aktivë në politikën shqiptare që ishin pjesëmarrës në Luftën Clirimtare të Kosovës”, tha ai.

Ai rikujtoi se kjo nuk është hera e parë që organizohen aktivitete të tilla, pasi shoqata në vazhdimësi ka shënuar përvjetorë dhe ngjarje të rëndësishme historike përmes ekspozitave tematike dhe të lira.

Prelvukaj shtoi se veprat e ekspozuara përfshijnë forma të ndryshme artistike, nga ato konkrete e gjysmë konkrete deri te ato abstrakte, ndërsa dominojnë ngjyrat dhe simbolika kombëtare.

“Dominojnë ngjyrat nacionale, ngjyrat kuqezi, dominon simbolika kombëtare që duhet treguar se i tërë ky popull, jo vetëm luftën e fundit por edhe shumë e shumë më herët, ose një shekull më herët, ka sakrifikuar për me e çliruar këtë vend. Por fatmirësisht u gjendën djemtë edhe vashat, pra në vitin 1999, të përkrahur nga bashkësia ndërkombëtare, sidomos nga Aleanca Veri-Atlantike, u bë çlirimi i Kosovës, erdhi liria që ne sot po e gëzojmë, që ne sot punojmë lirshëm, krijojmë lirshëm. Prandaj kjo nuk është edhe fundi i kësaj sepse ne do të vazhdojmë edhe më tutje me krijuar, pra me sjellë edhe punime tjera po me këtë tematikë”, theksoi ai.

Në këtë aktivitet mori pjesë edhe Ismail Tasholli nga  “Liria ka Emër”, i cili vlerësoi rolin e artit si pjesë e angazhimit shoqëror.

“Vetëm dy fjalë falënderimi edhe kujtimi që arti te ne nuk kuptohet pa prapashtesën aktivizëm, sepse artistët kanë qenë pararojë e ruajtjes së vlerave tona. Edhe kjo ekspozitë simbolike është po i njëjti mesazh që qytetaria merr peshë në mesin e artistëve.”,u shpreh  Tasholli.

Më 9 shkurt të këtij viti në Dhomat e Specializuara kanë nisur fjalët përmbyllëse në rastin Thaçi dhe të tjerët.

Katërshja e UÇK-së me 18 shkurt kanë paraqitur fjalët e tyre prej 20 minutash, ku janë deklaruar sërish të pafajshëm për të gjitha akuzat që i ngarkon Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Edhe ekipet mbrojtëse të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit kanë kërkuar që të njëjtit të shpallen të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

Kryeprokurorja e Specializuar, Kimberly west ka kërkuar dënim me burgim prej 45 vitesh, për secilin nga ish-krerët e UÇK-së, me pretendimet për krime lufte.

Gjykimi ndaj tyre ka nisur më 3 prill 2023 - gati tri vjet pas konfirmimit të aktakuzës prej kur ish-krerët e UÇK-së mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026