Intervistë me Ejup Maqedoncin: (Mos)ftesa e NATO-s, “lufta” e FSK në Kroaci dhe gjeneralët e munguar
Intervista
Lexohet për: 4 min.
Dëgjoje me zë...
Intervistë me Ejup Maqedoncin: (Mos)ftesa e NATO-s, “lufta” e FSK në Kroaci dhe gjeneralët e munguar
11/07/2026 - 12:40
Linku u kopjua
Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka deklaruar se mungesa e Kosovës në Samitin e fundit të NATO-s në Ankara nuk lidhet me ndonjë “përjashtim” të veçantë, por me faktin se vendi nuk është anëtar i Aleancës Veriatlantike dhe se këtë vit Ballkani Perëndimor nuk ishte në fokusin e diskutimeve.
Në emisionin “Intervista e Javës” me Erduan Zeqirin në KosovaPress, Maqedonci tha se në samit marrin pjesë 32 shtetet anëtare të NATO-s, ndërsa vendet partnere ftohen vetëm kur temat e samitit lidhen me to. Sipas tij, Kosova nuk ka qenë e ftuar asnjëherë të marrë pjesë në punimet e Samitit të NATO-s, duke theksuar se ftesat për përfaqësuesit e vendit kanë qenë vetëm për aktivitete të organizuara në margjinat e këtyre ngjarjeve të mëdha me karakter global.
Ai shtoi se vitin e kaluar, në një aktivitet të tillë në kuadër të Konferencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, ishte ftuar ish-presidentja Vjosa Osmani, ndërsa këtë vit ftesa ishte drejtuar ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, mirëpo për shkak të agjendës nuk kishte mundur të ishte e pranishme në samit.
Duke folur për samitin e ardhshëm të NATO-s, i cili do të mbahet në Tiranë, Maqedonci u shpreh optimist se Kosova do të ketë mundësi të jetë e pranishme në ndonjë aktivitet gjatë zhvillimit të tij.
Ministri theksoi se institucionet e Kosovës po vazhdojnë angazhimin diplomatik për afrimin me Aleancën, ndërsa Ministria e Punëve të Jashtme po komunikon vazhdimisht me shtetet mosnjohëse për të eliminuar pengesat në procesin e anëtarësimit.
Në intervistë, Maqedonci foli edhe për pjesëmarrjen e tij dhe të Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtrimin ndërkombëtar “Combat Poëer 2026”, të organizuar nga Ushtria e Kroacisë në poligonin ushtarak në Slunj.
Ai bëri të ditur se FSK-ja mori pjesë për herë të parë në këtë stërvitje, përkrah forcave të Kroacisë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Sllovenisë dhe partnerëve të tjerë, duke zhvilluar operacione dhe qitje me municion të vërtetë.
Sipas Maqedoncit, performanca e pjesëtarëve të FSK-së është vlerësuar lart nga autoritetet kroate dhe partnerët ndërkombëtarë. Ai shtoi se, me ftesë të ministrit kroat të Mbrojtjes, Ivan Anušić, mori pjesë edhe në Ditën e Vizitorëve të Shquar (DV Day), ku u demonstruan aftësitë operacionale të forcave pjesëmarrëse.
Sa i përket raportimeve për largimin e ushtarëve nga FSK-ja, Maqedonci tha se situata nuk është shqetësuese. Ai theksoi se numri i largimeve mbetet brenda normales dhe kompensohet nga interesimi në rritje për t’iu bashkuar forcës.
Lidhur me mungesën e gjeneralëve në disa pozita drejtuese, për çfarë u raportua ditëve të fundit, ministri në detyrë i Mbrojtjes shpjegoi se procesi i emërimeve është vonuar për shkak të procedurave institucionale që kërkojnë funksionalizimin e plotë të institucioneve shtetërore.
Ai bëri të ditur se bordi për përzgjedhjen e kandidatëve tashmë ka përfunduar raportin e tij dhe se procedura do të vazhdojë me rekomandimin e komandantit të FSK-së, për t’u dërguar më pas në qeveri dhe presidencë për miratim.
“Sa i përket çështjes së lidershipit të lartë, ne kemi pasur disa pozita vakante të gjeneralëve dhe arsyeja pse nuk janë plotësuar ka qenë për shkak se nuk kemi pasur institucione, sepse dihet që për të vendosur në pozita gjeneralësh, që është grada më e lartë, duhet të kemi funksionale qeverinë me mandat të plotë, por gjithashtu duhet të kemi edhe president që ka mundësi të... Tani edhe në këto momente kur po flasim jemi në përfundim të procesit, sepse bëhet një bord, pra një bord që është funksional aktualisht, i cili bën selektimin, pra përzgjedhjen e kandidatëve për gjeneral. Pastaj komandanti ka të drejtë, në bazë të rregullores, të përcaktohet për secilën pozitë nga një emër për gradë. Pastaj unë do ta përcjell atë dokument te kryeministri dhe prej tij shkon te presidentja për miratim. Ne po vazhdojmë këtë procedurë. Aktualisht, kur po flasim, është përfunduar raporti nga bordi. Me komandantin jemi duke punuar që të kemi edhe raportin nga ana e tij dhe pastaj atë raport unë do ta përcjell te kryeministri dhe te presidentja”, përfundoi ai.