Në Kosovë është prezantuar brendi FireDestroyer, një teknologji inovative evropiane për mbrojtje aktive nga zjarri, e cila sipas përfaqësuesve të kompanisë mund të reagojë brenda tri deri në pesë sekondave nga shpërthimi i zjarrit, pa pasur nevojë për energji elektrike apo instalime shtesë.
Gjatë prezantimit u tha se sistemi synon të minimizojë dëmet materiale dhe rrezikun për jetën e njerëzve, duke ofruar një qasje proaktive dhe automatike ndaj zjarreve, raporton KosovaPress.
“FireDestroyer është një kompani globale e dedikuar zhvillimit të produkteve dhe inovacioneve në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes nga zjarri. Zjarri mbetet një nga rreziqet më të rëndësishme operative për njerëzit, pronën dhe vazhdimësinë e bizneseve. Kjo do të thotë se ne duhet të jemi të shpejtë në mbrojtjen nga zjarri. Ne mund të reagojmë shumë shpejt, në rreth 3 deri në 5 sekonda, duke bërë që humbjet dhe dëmet të jenë më të vogla. Dhe pikërisht këtu Fire Destroyer bën diferencën në treg.. Fire Destroyer është një zhvillues dhe prodhues evropian. Ne punojmë tërësisht sipas standardeve të forta evropiane, duke zhvilluar, prodhuar dhe testuar gjithçka nën një çati”, tha Zunic.
Në event mori pjesë edhe ambasadori i Sllovenisë në Kosovë, Borut Blaj, i cili vlerësoi bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve dhe mundësitë e reja për partneritete ekonomike.Kryetari i Odës Sllovene të Bizneseve në Kosovë, Bajram Fusha tha se prezantimi i këtij produkti përfaqëson një urë bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Sllovenisë përmes inovacionit dhe cilësisë.
“Sot nuk prezantojmë vetëm një produkt të ri, po prezantojmë një ide e vizion që lidhi Kosovën me Slloveninë, përmes inovacionit, cilësisë dhe besimit. Në një kohë kur siguria e njerëzve, mbrojtja e pronës janë më të rëndësishme se kurrë, zgjidhjet e tilla përfaqësojnë një ide të shtuar për bizneset. Për këtë arsyeje Oda Sllovene e Bizneseve në Kosovë do të jetë gjithmonë pranë iniciativave të tilla duke i mbështetur ato”, tha Fusha.
FireDestroyer, një sistem i avancuar për zbulimin dhe shuarjen automatike të zjarrit në fazat e tij fillestare, prezanton konceptin e tij unik të mbrojtjes aktive, i cili funksionon pa energji elektrike, pa sensorë dhe pa ndërhyrje njerëzore.