Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së ministres serbe Snezhana Paunoviq, e cila në një intervistë për Kurir, dy ditë më parë, tha se po të ishte në vend të ish-presidentit serb Sllobodan Millosheviq, do ta kishte kryer spastrimin etnik të shqiptarëve në Kosovë në vitin 1998.
Njëri nga politikanët kryesorë shqiptarë në Maqedoninë e Veriut në 25 vjetët e fundit, e cilësoi këtë deklaratë si tronditëse, çnjerëzore dhe të papranueshme.
Sipas tij, të flasësh sot për spastrim etnik si alternativë politike, pas masakrave, varrezave masive dhe krimeve të dokumentuara në Kosovë, është dëshmi e një mendësie të rrezikshme dhe të papajtueshme me vlerat njerëzore, demokratike dhe evropiane.
“Mohimi ose glorifikimi i politikave gjenocidale nuk mund të ketë vend në shekullin XXI”, theksoi ai.“Në krah të aleatëve tanë ndërkombëtarë, UÇK-ja solli lirinë dhe çlirimin e Kosovës. Ata që edhe sot ëndërrojnë spastrim etnik duhet ta dinë se ideologjitë e urrejtjes gjithmonë përfundojnë në bankën e historisë, ndërsa liria dhe e drejta triumfojnë”, përfundoi Ahmeti. /KosovaPress/