Kurti në Pejë: Një miliard euro për garantimin e kredive investive të prodhuesve, një miliard edhe për ushtri
Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër në zgjedhjet e 7 qershorit , Albin Kurti, në tubimin në Pejë u zotua se Superpunën do ta vazhdojë për çdo grua që do të punësohet në sektorin privat, me pagë mbështetëse nga shtteit për gjashtë muaj.
Ai e premtoi edhe pagën e 14-të për sektorin publik, ndërsa pagën e 13-të për sektorin privat.
Tha se punësimi ka qenë kryefjala e qeverisjes Kurti 3. E, ajo çka nevojitet, sipas tij, është prodhimtaria e shtuar.
Për këtë, ai premtoi një miliardë euro për garantimin e kredive investive për të gjithë prodhuesit.
“Punësimi ka qenë kryefjala e qeverisjes sonë dhe suksesi i zotimeve tona të përmbushura. Ajo çka na nevojitet në vijim është prodhimtaria e shtuar, prandaj një miliard euro do t’i ndajmë për garantimin e kredive investive të të gjithë atyre që prodhojnë. Shteti juaj do të jetë garanci për investimet tuaja në prodhimtari. Shtesë prej një miliardë euro do të jenë 100 milion euro, dritarja për investime të mërgatës sonë, të cilën e presim krahapur. Superpunën për rininë do ta vazhdojmë edhe për gratë. Çdo ndërmarrje që punëson një grua pavarësisht sa ia jep pagën asaj e nuk mund t’ia jap më të ulët se 500 euro nga korriku, ne do t’ia shtojmë pagën minimale për gjashtë muaj rresht që i bie 3 mijë euro si bonus. Do të shohim për pagën e 14-të në sektorin publik. Tashmë e kemi filluar dialogun me sektorin privat që edhe bizneset t’ua japin punëtorëve pagën e 13-të. Do të kemi 1 miliardë edhe për ushtri. Do të fillojmë edhe të prodhojmë. Fabrika e municionit para 2027-ës do të nxjerrë fishekët e parë Made in Kosova”, tha Kurti.
Për shëndetësi, Kurti tha se një herë në vit çdo qytetari do t’i ofrohet një kontroll total i shëndetit.
Tha se do investojnë katër milionë euro në Spitalin e Pejës, ku do të mundësohet edhe kemoterapia.
“Në shëndetësi secili qytetar do të ketë një kontroll total të shëndetit. Në Pejë do të investojmë katër milionë euro dhe kemoterapia do të kryhet në Spital të Pejës, pa pasur nevojë të vijë në Prishtinë. Në komunën e Pejës prioritet do ta kemi rregullimin e çështjes së ujësjellësit, e rrugëve transit, ndërtimin e konvitktit për universitetin. Rruga Pejë - Prishtinë është duke u ndërtuar”, tha Kurti.
Arsyeja pse qytetarët do të dalin dhe njëherë para kutive të votimit, sipas tij, është ish- opozita.
E kjo, pasi që, nuk ka pranua ofertat për të zgjedhur çështjen e presidentit.
“Ja ku jemi edhe një herë në prag të ditës, kur ju do drejtoheni edhe një herë kutive të votimit. Kjo me gjithë ofertat tona, e para me bashkëqeverisje që u refuzua, për rrokadë kryetari me presidentin, pastaj që opozita ta marrë presidentin, por e patën mundësinë të na propozojnë tre emra që edhe t’ua japim nënshkrimet e ta garantojmë votën e në fund edhe mbështetjen për një lidere për Feride Rushitin. Nne tri- katër propozime, ata po aq refuzime”, shtoi Kurti.
Ai u bëri thirrje qytetarëve që ta mbështesin edhe në këto zgjedhje e ta kalojnë 51 përqindëshin.
/Kosovapress/