Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha e ka quajtur të drejtë vendimin e gjykatës për të dënuar tre serbët e përfshirë në rastin “Banjska”, dy me burgim të përjetshëm e një me 30 vjet qëndrim prapa grilave.
Në një intervistë ekskluzive për KosovaPress, menjëherë pas këtij vendimi, ai tha se me gjithë verdiktin e sotshëm, drejtësia nuk është e plotë pa u dënuar të gjithë ata që ishin të përfshirë në sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator 2023.
“Vlerësojmë që gjykatat e kanë kryer detyrën e tyre. Ka qenë një proces, mendoj, fer dhe i drejtë, sepse kështu janë ndërtuar institucionet e Republikës së Kosovës. Tash ta shohim a do të ketë ankesë ndaj këtij verdikti të gjykatës. Me siguri që do të bëjnë ankesë avokatët. Sidoqoftë, kjo është një vendim i drejtë për ne dhe shpresojmë që edhe persona të tjerë të cilët janë të përfshirë në këtë proces, në rastin e Banjskës, sa më shpejt të arrestohen dhe të dorëzohen institucioneve tona të sigurisë, sepse procesi i Banjskës nuk është i kompletuar edhe drejtësia nuk e merr verdiktin e saj të plotë pa u dënuar të gjithë ata që kanë marrë pjesë në betejën e Banjskës, ata që ishin një grup terrorist i udhëhequr prej Radoiçiqit e të mbështetur, financuar, trajnuar e politikisht edhe nga aspekti logjistik, edhe politik nga Qeveria e Serbisë”, deklaroi ai për KosovaPress.
“Mendoj që ky është një hap, një hap i mirë drejt drejtësisë së kompletuar. Sidoqoftë, siç thashë edhe më herët, drejtësia do të arrihet atëherë kur të gjithë ata që kanë qenë të përfshirë, përfshirë këtu edhe kryekriminelin që ka udhëhequr këtë grup kriminal terrorist, Radoiçiqi, do të jetë prapa grilave dhe do të marrë dënimin e merituar. Përndryshe, kjo është vetëm, ky është vetëm një hap i parë, e mbetet punë shumë e madhe, por në këtë rast duhet presion i madh i bashkësisë ndërkombëtare edhe besoj institucioneve tona, që derisa ata të mos dorëzohen, të mos ndalemi në mënyrë të parreshtur të kërkojmë që ata të përgjigjen para institucioneve tona të drejtësisë”, shtoi ai.
“Ka qenë një ditë shumë e rëndë për Republikën e Kosovës, data 24 shtator e vitit 2023. Unë vlerësoj që ka qenë sulmi më i rëndë që i ka ndodhur Kosovës që nga koha e pasluftës deri më sot, duke mos anashkaluar po ashtu dhe sulmin e Ibër Lepencit, mirëpo kjo ishte një sulm direkt i rëndë drejt shtetësisë tonë, drejt sovranitetit tonë, institucioneve tona të sigurisë, me qëllim që ajo pjesë e Kosovës të aneksohej dhe të krijohej një rend i ri, realitet i ri, ku do të kishte një mbretërim të terroristëve në atë zonë. Sidoqoftë, unë vlerësoj që Policia e Kosovës, institucionet tona të sigurisë, e më së shumti policët tanë që ishin në terren atë ditë, ka kryer një punë të shkëlqyer, duke ngadhënjyer dhe triumfuar ndaj këtij grupi terrorist, duke e mundur ushtarakisht grupin, politikisht gjithashtu, në shumë aspekte të tjera, u dëshmua që institucionet tona janë institucione të pjekura, demokratike dhe duke e rikthyer totalisht kontrollin në pjesën veriore të Kosovës dhe duke i mposhtur dhe arrestuar këta persona që po gjykohen sot, dhe duke pastruar komplet terrenin që atë ditë ishte krijuar domethënë një situatë tejet e rëndë për institucionet tona”, ka shtuar ai.
Për familjen e atij që tashmë konsiderohet hero i Kosovës, por edhe të tre kolegëve të tij, Çlirim Shaqiri, Mirsad Kryeziu e Sedat Dushi, drejtori Hoxha pati një mesazh të fortë.
Dënimin për tre të akuzuarit e shpalli kryetari i trupit gjykues, Ngadhnjim Arrni.
Spasojeviq dhe Toliq nuk kanë qenë prezent në gjykatore ku u nxor verdiktu, ndërsa Dushan Maksimoviq po.