"Ku është drejtësia dhe për kë është ajo?”, thirrje nga Kuvendi për mbështetje për të mbijetuarit e dhunës seksuale
Përfaqësues të të gjitha grupeve parlamentare theksuan nevojën për drejtësi, përkrahje institucionale dhe luftim të stigmatizimit, duke e cilësuar këtë plagë si një nga më të rëndat e luftës në Kosovë. Këto u thanë gjatë seancës për shënimin e Ditës Memoriale për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale të Luftës, nën moton “Ma kthe dritën”.
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci, theksoi se kujtesa kolektive për krimet e luftës mbetet e pandashme nga kërkesa për drejtësi, duke nënvizuar rëndësinë e dokumentimit të tyre për brezat e ardhshëm.
“Realiteti i gjenocidit që kreu Serbia në Kosovë mbetet pjesë e pandashme e kujtesës sonë kolektive dhe kërkesës për drejtësi. Sot vërehet një përkushtim më i theksuar për trajtimin e kësaj kategorie përmes politikave gjithëpërfshirëse dhe vendosjes së kësaj çështjeje në agjendën institucionale dhe publike. Duhet t’u sigurojmë hapësira të sigurta shoqërore, vende ku mund të flasin pa u gjykuar, ku fëmijët nuk mbajnë barrën e historisë së prindërve të tyre, ku komuniteti nuk përjashton për shkak të së kaluarës. Destigmatizimi nuk ndodh vetvetiu; ai kërkon një punë të ndërgjegjshme në të gjitha dimensione”, tha ajo.
Nga ana tjetër, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, foli për nevojën që kujtesa të shoqërohet me guxim dhe kërkesë të vazhdueshme për drejtësi.
“Në këtë kohë kur mijëra të mbijetuar presin drejtësi, ne duhet të pyesim: ku është drejtësia dhe për kë është ajo? E vërteta është e thjeshtë: ata që kryen këto krime ishin frikacakë, fshiheshin pa uniformë, pas një sistemi dhe dhune të vazhdueshme. Sulmuan të pambrojtur, sepse nuk kishin forcë të përballeshin me dinjitetin dhe njerëzoren. Forca e vërtetë qëndron te të mbijetuarit, gratë dhe burrat që ndërtuan jetën nga hiri, që rritën familje dhe ecën përpara nga plagë të padukshme, por që refuzuan të përkufizoheshin nga ato plagë”, tha ai.
Në emër të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku-Sadriu kërkoi që institucionet e drejtësisë t’i trajtojnë me prioritet rastet e dhunës seksuale dhe i inkurajoi të mbijetuarit që ende nuk kanë folur të ndihen të mbështetur.
“Ju nuk jeni vetëm. Nuk jeni vetëm me dhimbjen tuaj në kërkimin tuaj për drejtësi dhe nuk do të jeni vetëm në përballjen tuaj me të kaluarën. Ndërsa për ju që nuk keni folur, nga kjo foltore them: kurdo që të jeni gati, jemi këtu për ju, jo për t’ju gjykuar, por për t’ju mbështetur; jo për t’ju pyetur, por për t’ju thënë se jemi me ju dhe qëndrojmë me ju. Sepse kjo histori nuk është vetëm e juaja; është historia jonë dhe e gjithë Republikës së Kosovës.” u shpreh ajo.
Përfaqësuesi i grupit multietnik, Artan Asllani, theksoi se dhuna seksuale ka prekur të gjitha komunitetet në Kosovë dhe se mungesa e të dhënave të plota tregon për shumë zëra të heshtur.
“Drejtësia nuk matet me ligjet që kemi miratuar, por me plagët që janë shëruar. Edhe sot, pas rreth tri dekadash, kemi një realitet të dhimbshëm: mijëra viktima, por një numër shumë i vogël rastesh të trajtuara nga drejtësia”, tha ai.
Ndërsa, nga radhët e Aleancës së Ardhmërisë së Kosovës, deputetja Albana Bytyqi, rikujtoi angazhimin institucional në të kaluarën për njohjen e statusit të të mbijetuarve dhe mbështetjen e tyre, duke e cilësuar atë si një hap historik.
“Një kthesë e rëndësishme ndodhi gjatë qeverisjes së Haradinajt dhe angazhimit të AAK-së, kur kjo çështje u trajtua për herë të parë me seriozitetin që meriton — jo vetëm si një obligim politik, por si detyrim moral. Gjatë asaj periudhe u ndërmorën hapa konkretë dhe historikë: u njoh statusi i viktimave të dhunës seksuale, u vendos mbështetja financiare dhe, për herë të parë, u ndërtua një komunikim i drejtpërdrejtë me ta duke i përfshirë në vendimmarrje”, tha ajo
Sipas Bytyqit, ende ekzistojnë pengesa për të mbijetuarit, përfshirë afatet për aplikim dhe çështjet e pensioneve, ndërsa mungesa e ndëshkimit të autorëve mbetet një nga problemet më të mëdha.
/Kosovapress/