Dhjetëra shqiptarë janë mbledhur në Zarë të Kroacisë në një protestë në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke kërkuar drejtësi në procesin gjyqësor që po zhvillohet në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Në protestë mori pjesë edhe kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, i cili tha se tubimi është organizuar për të kundërshtuar, sipas tij, padrejtësitë ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së.
Gjatë protestës, pjesëmarrësit brohoritën vazhdimisht “UÇK, UÇK”, ndërsa mbanin flamuj kuqezi dhe shprehën mbështetje për ish-udhëheqësit e UÇK-së.
Protesta u organizua nga Shoqata e Shqiptarëve të Prefekturës së Zarës, në bashkëpunim me Unionin e Shqiptarëve në Kroaci dhe me iniciativën e Sami Gashit.Protesta vjen pasi trupi gjykues në Dhomat e Specializuara ka caktuar 16 shtatorin, në orën 10:00, si datë për shpalljen e aktgjykimit në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Sipas vendimit të trupit gjykues, data e shpalljes së aktgjykimit është shtyrë për shkak të vëllimit të madh të provave të administruara gjatë procesit gjyqësor.
Ata edhe një herë janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.