Reagimi zyrtar i Klubit të Futbollit të Vajzave të Mitrovicës për gjendjen e stadiumit “Xhevat Jusufi-Xheki”, ku u lënduan dy futbollistet Gresa Haziri dhe Aurora Muliqi, ka nxitur shqetësime serioze për sigurinë e lojtareve, vetëm pak javë para paraqitjes së skuadrës në garatë e Women’s Champions League.
Kryetari i klubit të vajzave, Hajrullah Haxhiu, duke folur për KosovaPress, ka bërë të ditur se gjendja e të dyja futbollisteve vazhdon të jetë shqetësuese.
Trajneri i KFF Mitrovica, Shpëtim Idrizi, theksoi se mungesa e dy lojtareve kyçe është një goditje e madhe për ekipin, pasi ato kanë qenë pjesë bazë gjatë gjithë kampionatit.
“Normal, mungesat janë jashtëzakonisht të mëdha, duke marrë parasysh se kanë qenë bazë domethënë gjatë gjithë kampionatit. Po shpresojmë në rikuperimin e tyre që të paktën t’i kemi këtu në ndeshjet të cilat bëjnë pjesë në Ligën e Kampionëve, që realisht të paraqitemi sa më mirë. Normal që me ardhjen e atyre dy lojtarëve, po shpresojmë do të jetë ekipi më i kompletuari”, tha Idrizi.Ai tregoi se FFK-ja ka prioritet ndërtimin e një fushe të re për Lidhjen Rajonale të Mitrovicës, por theksoi se klubi nuk mund të presë, pasi e pret kampionati dhe ndeshjet e UEFA Women’s Champions League, ndërsa kërkoi nga Komuna dhe Federata të ndërhyjnë sa më parë.
Futbollistja e lënduar e KFF Mitrovicës, Aurora Muliqi, tregoi se gjendja e fushës ka ndikuar vazhdimisht në lëndimet e lojtareve, duke theksuar se pothuajse e gjithë skuadra përballet me dhimbje muskulore.
Portierja Rajmonda Spahiu tha se fusha është në gjendje të dobët dhe po krijon probleme të mëdha në stërvitje dhe ndeshje, madje edhe lëndime te lojtaret.
KFF Mitrovica do ta përfaqësojë Kosovën në kualifikimet e UEFA Women’s Champions League, ndërsa shqetësimet për gjendjen e stadiumit “Xhevat Jusufi-Xheki” janë shtuar pas lëndimeve të futbollisteve Gresa Haziri dhe Aurora Muliqi. Klubi ka reaguar publikisht, duke kërkuar ndërhyrje urgjente për rinovimin e tapetit sintetik, me arsyetimin se kushtet aktuale po rrezikojnë shëndetin e lojtareve dhe përgatitjet për garat vendore e ndërkombëtare.
KosovaPress ka tentuar të marrë një qëndrim edhe nga presidenti i KF Mitrovica, Jeton Ujkani, lidhur me shqetësimet e ngritura për gjendjen e stadiumit “Xhevat Jusufi-Xheki”, i cili aktualisht është në pronësi të klubit që ai drejton. Megjithatë, deri në momentin e publikimit të këtij lajmi, Ujkani nuk i është përgjigjur kërkesës për koment.