Kanë mbetur edhe rreth dy javë deri në afatin e përcaktuar për zgjedhjen e presidentit, në të kundërtën vendi mund të shkojë në zgjedhje që duhet të mbahen brenda 45 ditësh.
Profesori universitar, Rrahman Paçarizi të vetmin opsion e sheh organizimin e serishëm të zgjedhjeve.
“Unë mendoj që opsioni i vetëm tashmë janë zgjedhjet, sepse siç duket askujt nuk po i intereson që të gjejë zgjidhjen. Është paksa e çuditshme qysh Lëvizja Vetëvendosje nuk po angazhohet pak më shumë për ta zgjedhur presidentin, sepse kjo do t'i siguronte një mandat të sigurt katërvjeçar. Pastaj duke pasur parasysh që Lëvizja Vetëvendosje edhe mandatin e kaluar e ka çuar deri në fund dhe ka realizuar programet që i ka pasur, e themi programet e asaj partie dhe sado që sulmohen, ato prapë janë programe politike të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilat siç e tha edhe zoti Kurti, duket sikur elektoratit i kanë pëlqyer dhe do t'i çojë deri në fund”, deklaron ai.
Sipas tij, barra i bie Lëvizjes Vetëvendosje, që zotëron numrin më të madh të ulëseve në organin më të lartë legjislativ.Albulena Haxhiu si kryekuvendare, ka marrë detyrën e presidentit më 5 prill, pas përfundimit të mandatit të Vjosa Osmanit.
Ajo mund ta ushtrojë këtë detyrë deri më 5 tetor, nëse nuk zgjidhet presidenti i ri deri më 28 prill, afat ky i dalë nga aktgjykimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese.
Njohësi i çështjeve politike, Rrahman Paçarizi thotë se partitë kanë nisur fushatën nëpër komuna përmes takimeve me qytetarë.
Lëvizja Vetëvendosje në seancën e 5 marsit i ka propozuar dy emra për pozitën e presidentit, Glauk Konjufcën dhe Fatmire Mulhaxha Kollçakun.
Në mungesë kuorumi, kishte dështuar votimi i tyre. Ish-presidentja, Vjosa Osmani, të nesërmen kishte njoftuar për dekretin e shpërndarjes së kuvendit, për çka LVV e çoi në Gjykatë Kushtetuese meqë e konsideroi se jokushtetues.