Rrustemi akuzon PDK-në për presion ndaj LDK-së: Po pengohet bashkëpunimi me Vetëvendosjen
Intervista
Lexohet për: 3 min.
Dëgjoje me zë...
Rrustemi akuzon PDK-në për presion ndaj LDK-së: Po pengohet bashkëpunimi me Vetëvendosjen
adnan-rrustemi
28/06/2026 - 11:41
Linku u kopjua

Deputeti i rizgjedhur i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka deklaruar se zgjedhjet e fundit parlamentare kanë qenë të panevojshme dhe se rezultati i tyre ka dëshmuar se vendi kishte nevojë për stabilitet institucional e jo për procese të reja zgjedhore.

Ai në një intervistë për KosovaPress, ka thënë se pas shpalljes dhe certifikimit të rezultateve, duhet të nisin bisedimet politike për formimin e institucioneve, duke akuzuar opozitën se me refuzimin e bashkëpunimit ka sjellë vendin në krizën aktuale.

Sipas Rrustemit, po të ishte pranuar oferta e Vetëvendosjes për bashkëqeverisje me LDK-në vitin e kaluar, vendi nuk do të kishte kaluar në zgjedhje të reja.

Deputeti i Vetëvendosjes u shpreh se përsëritja e shpeshtë e zgjedhjeve ka ndikuar edhe në pjesëmarrjen e qytetarëve në votime.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka thënë se Kosova duhet të ketë një president konsensual dhe jopartiak. Sipas tij, Vjosa Osmani nuk i plotëson kriteret për një figurë të tillë, pasi është e përfshirë aktivisht në politikë dhe ka qenë pjesë e proceseve partiake.

Rrustemi ka komentuar edhe zhvillimet e fundit brenda LDK-së,  si dhe përplasjet në rrjete sociale të Perparim Ramës me Dejona Mihalin.

Ai tha se Përparim Rama, është pjesë e kësaj përpjekjeje për ta penguar çdo afrim mes LDK-së dhe Vetëvendosjes, veçanërisht sa i përket arritjes së një marrëveshjeje për zgjedhjen e presidentit.

“Kjo është një fushatë e PDK-së nëpërmjet elementeve të saj në LDK, siç është Përparim Rama, për ta goditur Lumir Abdixhikun dhe lidershipin aktual të LDK-së që të mos i afrohet me Vetëvendosjen, me asnjë bashkëpunim për ta gjetur një zgjidhje për presidentin. Domethënë, ka një tendencë të vazhdueshme të elementeve të PDK-së në LDK për ta tërhequr LDK-në kah PDK. Ata e kanë pasur gjatë këtyre 15 viteve në pozicione të njëjta. Por në situatën për të shmangur krizën e për të gjetur një zgjidhje për presidentin, dhe duke marrë parasysh që roli i LDK-së është i rëndësishëm, siç ishte përcaktues edhe herën e kaluar, PDK po ushtron presion mbi lidershipin aktual të LDK-së. Unë mund të kem mospajtime të pafundme edhe me lidershipin e LDK-së e me të tjerët, por ama më duket shumë dashakeqe si qasje që PDK po mban të, ose po tenton ta mbajë, LDK-në të nënshtruar dhe kësisoj të pengojë çfarëdo përafrimi apo bashkëpunimi për çështjen e presidentit në mes të LDK-së dhe VV-së”, përfundoi Rrustemi.

Rikujtojmë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në mbledhjen e mbajtur dje më 27 qershor ka shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të mbajtura më 7 qershor.

Sipas rezultateve, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë e para me 47.13% të votave, duke siguruar 53 ulëse në Kuvend. Partia Demokratike e Kosovës ka marrë 19.44% dhe 22 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës 16.69% me 18 ulëse, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka fituar 6.74% dhe 7 ulëse.


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026