Unioni i Klubeve Futbollistike Shqiptare në Zvicër po vazhdon të luajë një rol të rëndësishëm në identifikimin dhe orientimin e talenteve të rinj drejt përfaqësimit të Kosovës. Kryetari i këtij unioni, Feti Demolli, në një intervistë për KosovaPress, ka folur për punën që po bëhet në bashkëpunim me Federatën e Futbollit të Kosovës, për sukseset konkrete me lojtarë të rinj, si dhe për interesimin gjithnjë e më të madh të talenteve nga diaspora për të zgjedhur Kosovën.
Duke folur për bashkëpunimin institucional dhe procesin e përzgjedhjes së lojtarëve, Demolli ka theksuar se unioni, së bashku me federatën, është i autorizuar për grupmoshat që i sjell në Kosovë. Ai ka përmendur se disa nga emrat e njohur tashmë, si Leon Avdullahu dhe Albian Hajdari, janë rezultat i drejtpërdrejtë i këtij angazhimi të përbashkët.
Demolli ka folur për ndryshimin e madh që ka ndodhur viteve të fundit në preferencat e talenteve të rinj. Ai ka theksuar se Kosova tashmë është bërë zgjedhja e parë për shumicën e futbollistëve të rinj shqiptarë në diasporë.
Në fund, Demolli ka zbuluar se aktualisht janë në bisedime për një talent të jashtëzakonshëm 14-vjeçar që aktivizohet në një akademi të njohur në Francë, duke e cilësuar atë si një lojtar me potencial të madh.“Në verë i kemi edhe dy kampe të tjera që vijnë prej Kosovës trajnerët për t’i marrë lojtarët dhe tani e kemi një lojtarë të jashtëzakonshëm që besoj se nuk është mirë ta bëjmë publike sepse jemi në diskutime dhe ne kemi luftë me Zvicrën për ta marrë që do të thotë se është një talentë i jashtëzakonshëm, kemi shumë por njëri prej tyre është që vjen direkt në Kosovë. Është një 14 vjeshtë që vjen direkt në Kosovë. Është një 14 vjeçar por është talent i jashtëzakonshëm që luan në Lyon dhe luan mbrojtës, në akademinë ku ka dal Kylian Mbappe, Thiery Henry, është i jashtëzakonshëm, është zgjedhur njëri prej lojtarëve më të mirë për pjesën e Francës në Xhenevë”, zbuloi Demolli.
Ndryshe, me kualitete e mëdha të lojtarëve që tashmë i ka në skuadër, Kosova ishte në prag të kualifikimit në Kampionatin Botëror 2026, pro humbi 1-0 në finalen e playoff-it kundër Turqisë në Prishtinë.
Feti Demolli - Kryetar i Unionit të Klubeve Futbollistike Shqiptare të Zvicrës