“Lum si ti Kosovë”. Me këto fjalë ambasadori francez në Kosovë vlerësoi organizimin dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të mbajtura të dielën e 7 qershorit. Megjithatë, në një intervistë për KosovaPress, Guerot theksoi rëndësinë e funksionalizimit sa më të shpejtë të institucioneve të vendit.
Sië tha ai, një mekanizëm elektoral që funksionon mirë mbetet baza e demokracisë.
Duke folur për rëndësinë e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në rrugën e integrimit evropian të Kosovës, Guerot tha se beson në institucionet e vendit dhe në përfundimin e drejtë të procesit zgjedhor.
“Unë nuk do të komentoj mbi gjithë procesin, derisa të certifikohen rezultatet. Ne kemi besim te institucionet e Kosovës, bazuar në përvojën e zgjedhjeve të mëparshme, se i tërë procesi do të jetë, deri në fund fare, i drejtë dhe konkurrues. Natyrisht, kjo është kyçe për Kosovën në rrugën e saj drejt integrimit evropian. BE-ja bazohet mbi vlera dhe vlerat duhet të jenë – nuk është thjesht një angazhim, është gjithashtu diçka që duhet ta provosh herë pas here që po i ndjek ato. Por jam besimplotë se Kosova do të dëshmojë se është një demokraci e vërtetë”, tha ai.“Pamë gjithashtu se edhe në zgjedhjet e mëparshme institucionet e gjyqësorit funksiononin mirë. Kemi parë një Gjykatë Kushtetuese që funksionon mirë. Pra, sa i përket zhvillimit demokratik është arritur mjaft shumë me ndihmën tonë, por para së gjithash nga vetë kosovarët. Demokracia është e rritur brenda vendit (e vetëndërtuar) në këtë shtet dhe kjo është shumë mirë dhe ne jemi të lumtur ta shohim këtë, të shohim se investimi që bëmë – investimi politik dhe ushtarak që bëmë në këtë vend – dha rezultate. Ajo që jemi tani të gatshëm të bëjmë dhe më se të vullnetshëm për të bërë, është të mbështesim zhvillimin, zhvillimin ekonomik të Kosovës. Ka marka franceze që janë gjithnjë e më shumë prezente në këtë vend. Së fundmi, një markë shumë e njohur franceze, Decathlon, u hap këtu në Kosovë, dhe ka edhe të tjera. Kështu që kjo është një shenjë e mirë”, tha ai.
Ndryshe, zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit ishin të tretat që mbahen në Kosovë brenda 16 muajve të fundit, një tregues i vazhdimit të krizës politike dhe pamundësisë së subjekteve politike për të siguruar stabilitet afatgjatë institucional. Procesi zgjedhor u vlerësua pozitivisht nga institucionet përgjegjëse dhe organizatat monitoruese. Megjithëse, pjesëmarrja e qytetarëve ishte më e ulët krahasuar me ciklet e mëparshme zgjedhore, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Demokracia në Veprim (DnV) njoftuan se zgjedhjet u zhvilluan në një atmosferë të qetë, pa incidente serioze që do të cenonin integritetin e procesit.