Specialisti i otorinolaringologjisë nga Bullgaria, Mario Miklov, ka vlerësuar lart organizimin e Kongresit të 14-të Ballkanik të Otorinolaringologjisë dhe Kirurgjisë së Kokës dhe Qafës në Prishtinë, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit shkencor dhe profesional ndërmjet vendeve të rajonit.
Miklov tha se kjo është hera e parë që viziton Kosovën dhe falënderoi organizatorët për mikpritjen dhe organizimin e kongresit.
Specialisti bullgar Miklov duke folur për temat e trajtuara në kongres, veçoi sesionin kushtuar mjekësisë së gjumit, duke e cilësuar atë si një nga fushat me rëndësi të veçantë në mjekësinë moderne.
“Dje kemi pasur një sesion shumë të mirë për mjekësinë e gjumit. Disa nga kolegët e mi janë kirurgë të specializuar në këtë fushë. Ne diskutuam për të ardhmen e mjekësisë së gjumit, për sistemet diagnostike dhe profilaksie, për profilin e ri të pacientëve, si dhe për trajtimet e reja, si konservative ashtu edhe kirurgjikale. Mjekësia e gjumit është shumë e rëndësishme sot, jo vetëm në Ballkan apo Evropë, por edhe në Shtetet e Bashkuara dhe Australi. Ajo është e rëndësishme sepse shumë aksidente të rënda në rrugë ndodhin për shkak të problemeve me gjumin, kur shoferët gjatë udhëtimit përballen me këto vështirësi, dhe shpesh shihen pasoja shumë të rënda”, deklaroi ai.“Ka sesione shumë interesante, jo vetëm në fushën e mjekësisë së gjumit, por edhe në laringologji dhe rinologji, dhe komunikimi formal dhe joformal me folësit është shumë i rëndësishëm për gjeneratën e re të mjekëve, si dhe për profesorët e vjetër dhe profesorët e asociuar. Miqësia është gjithashtu shumë e rëndësishme në Ballkan. Ne jetojmë në kohë jo të lehta, jo vetëm në Ballkan, por edhe në Lindjen e Mesme dhe Evropë, dhe ne mjekët ndiejmë se jemi ata që sjellim ide të mira, miqësi dhe vëllazëri”, tha ai.