Delegacioni i kongresistëve amerikanë, që vizitoi Luginën e Preshevës të martën, theksoi rëndësinë e stabilitetit dhe të prosperitetit në trajtimin e çështjeve mes shqiptarëve dhe serbëve.
Keith Self nga radhët e republikanëve dhe Suhas Subramanyam nga radhët e demokratëve u takuan me zyrtarë të ndryshëm, përfshirë deputetin e vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, për të marrë informacione dhe mendime të drejtpërdrejta nga terreni.
Keith Self nga radhët e republikanëve dhe Suhas Subramanyam nga radhët e demokratëve u takuan me zyrtarë të ndryshëm në Preshevë.
Keith Self nga radhët e republikanëve dhe Suhas Subramanyam nga radhët e demokratëve u takuan me zyrtarë të ndryshëm në Preshevë."Realiteti është që Serbia, për të ecur përpara, duhet të jetë në gjendje t'i adresojë këto çështje", tha kongresisti demokrat.
Duke folur për Radion Evropa e Lirë pas takimit, Kamberi tha se kongresistët "janë bindur për situatën ekzistuese në terren" dhe u shfaq i sigurt se problemet në Luginën e Preshevës po marrin vëmendje ndërkombëtare.
"BE do të thotë pranimi dhe respektimi i të drejtave të pakicave, por politika e kësaj qeverie i ka dëmtuar jo vetëm interesat e pakicave, jo vetëm interesat e komunitetit shqiptar, por edhe vetë interesat afatgjate të Serbisë", sipas Kamberit.
Projektligji, i iniciuar nga kongresisti Self, parashikon shqyrtimin e disa çështjeve që lidhen me pakicën shqiptare në Serbi, përfshirë pasivizimin e adresave, përkatësisht fshirjen e qytetarëve nga adresat ku janë të regjistruar.
Ai trajton, gjithashtu, kufizimet në përdorimin e gjuhës shqipe në institucionet publike, mosnjohjen e diplomave nga Kosova dhe mungesën e teksteve shkollore në gjuhën shqipe.
Çfarë thonë qytetarët?
Samet Maksuti nga Presheva nuk pret ndonjë ndryshim pas vizitës së kongresistëve amerikanë.
Sabit Rexhepi thotë se nuk ka ndonjë problem në qytet dhe se bashkëjetesa mes shqiptarëve dhe serbëve është e mirë.
"Politika i kërcënon të drejtat e pakicave, por, me njëri-tjetrin, ne nuk kemi probleme", thotë ai."Por, unë nuk pres të ketë ndonjë gjë më mirë. Derisa Aleksandar Vuçiq të jetë president [i Serbisë], nuk do të ketë asgjë", thotë Rexhepi.
Një ditë më parë, kongresistët amerikanë qëndruan në Beograd, ku u takuan me sekretaren shtetërore të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë, Nevena Jovanoviq.
Më 24 maj, kongresistët amerikanë vizituan edhe Sarajevën, ku theksuan përkushtimin e tyre ndaj Marrëveshjes së Dejtonit për Paqe dhe integritetit territorial të Bosnje dhe Hercegovinës.
Cila është pozita e shqiptarëve në Serbi?
Pjesëtarët e komunitetit shqiptar që jetojnë në jug të Serbisë, në komunat Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, shpesh kanë ngritur shqetësime për praktika diskriminuese nga autoritetet në Beograd, ndërsa zyrtarët e Qeverisë së Kosovës i kanë mbështetur vazhdimisht pretendimet e tyre.
Përfaqësuesit e Luginës së Preshevës dhe shteti serb kanë arritur tri marrëveshje në vitet 2001, 2007 dhe 2013, të cilat parashihnin mbrojtjen e të drejtave dhe integrimin e pakicës shqiptare, por zbatimi i tyre ka mbetur i kufizuar.
Integrimi i shqiptarëve në institucione është gjithashtu pjesë e obligimeve të Serbisë në kuadër të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Ndërkohë, vendimi i Beogradit për rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak ka shkaktuar shqetësim te shqiptarët e kësaj zone, të cilët thonë se kanë përvoja të dhimbshme nga e kaluara.
Në një raport të Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi në vitin 2021, Presheva, Medvegja dhe Bujanoci përshkruhen si “peng i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”.