Çfarë ndikimi mund të ketë raporti i ekspertëve britanikë për Specialen?
Tema
Lexohet për: 7 min.
Dëgjoje me zë...
Çfarë ndikimi mund të ketë raporti i ekspertëve britanikë për Specialen?
gjykata hage
08/05/2026 - 12:06
Linku u kopjua

Javën e kaluar është prezantuar nga Avokati i Popullit, Naim Qelaj, raporti i ekspertëve britanikë lidhur me funksionimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

Ky raport preliminar i Komitetit për të Drejtat e Njeriut i Odës së Avokatëve të Anglisë dhe Uellsit, ka ngritur shqetësime lidhur me “kohëzgjatjen e paraburgimit, mungesën e mundësive reale për lirim të parakohshëm dhe kufizimet e komunikimeve familjare por edhe ato profesionale me ekipet e mbrojtjes”.

Institucioni i Avokatit të Popullit i ka thënë KosovaPress-it, se ky raport “ka kontribut të rëndësishëm për të siguruar respektim të plotë të standardeve ndërkombëtare për proces të rregullt dhe të drejtë”. Në këtë përgjigje, po ashtu nënvizohen edhe pritjet e këtij institucioni pas gjetjeve në raport.

“Pritjet tona janë që gjetjet dhe vlerësimet e paraqitura të shërbejnë si një bazë e dobishme për reflektim të mëtejmë dhe për një dialog konstruktiv ndërmjet të gjithë akterëve përkatës, me qëllim avancimin e mëtejshëm të praktikave dhe garancive procedurale në kuadër të Dhomave të Specializuara të Kosovës. Sa i përket efektit të raportit, mbetet e rëndësishme që ai të trajtohet me vëmendjen e duhur dhe në frymën e bashkëpunimit institucional. Duke pasur parasysh natyrën e tij të pavarur dhe profesionale, konsiderojmë se raporti ka potencialin të kontribuojë pozitivisht në forcimin e standardeve të drejtësisë dhe në rritjen e besimit në proceset gjyqësore”, thuhet në këtë përgjigje të Institucionit të Avokatit të Popullit.

Zëdhënësja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Angela Griep thotë se ky raport nuk do të ketë ndikim në vendimmarrje apo funksionim.

Ai në një përgjigje për KosovaPress, thekson se “Dhomat e Specializuara janë institucion gjyqësor i pavarur” dhe se “raporti nuk do të ketë asnjë ndikim në punën e Speciales”.

“Dëshiroj ta shfrytëzoj këtë rast për të sqaruar se, ndryshe nga raportimet e fundit në mediat e Kosovës, Raporti i BHRC-së nuk përmban asnjë konstatim se ndonjë vendim i gjyqtarëve të Dhomave të Specializuara ka shkelur të drejtat e njeriut të ndonjë të akuzuari, dhe as nuk përfundon se jurisprudenca e Dhomave të Specializuara shkel apo bie ndesh me praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut apo të ndonjë tribunali ndërkombëtar ad hoc, përfshirë ICTY-në. Raporti i BHRC-së po ashtu nuk konstaton se vendimet mbi paraburgimin kanë shkelur ndonjë konventë për të drejtat e njeriut. Përkundrazi, Raporti i BHRC-së reflekton mbi mundësinë efektive të mjeteve juridike para KSC-së dhe faktin se shumë çështje janë ende në proces gjyqësor dhe mund të apelohen në instanca më të larta”, thuhet në përgjigjen e zëdhënëses së Dhomave.

Hulumtuesja e Tribunalit të Hagës për ish-Jugosllavinë, Nevenka Tromp thotë se raporti ngre shumë çështje ligjore, por flet edhe për rëndësinë e transparencës gjatë procesit gjyqësor.

“Vlera më e madhe është se ky raport tregon rëndësinë e transparencës ndaj institucioneve ligjore si kjo gjykatë, ose çdo gjykate tjetër. Ato mund të ndiqen, analizohen, kritikohen gjatë funksionimit të tyre. Ajo që thuhet për funksionimin e gjykatës, jo vetëm në rastin e Thaçit dhe të tjerëve, por edhe në rastet e Salih Mustafës dhe Pjetër Shalës, është se këto organizata thjesht bëjnë monitorim dhe raportim. Kjo është pjesë shumë e rëndësishme e sundimit të ligjit, që organizata të tilla ekzistojnë dhe ndihmojnë në përfshirjen e publikut më të gjerë, jo vetëm juristëve, në debat dhe diskutim. Megjithatë, ato nuk janë palë në proces dhe ajo që thonë nuk merret si pjesë e procedurës gjyqësore. Në fund të fundit, një proces penal ka të bëjë vetëm me palët që kanë të drejtë të paraqiten në gjykim: prokuroria, mbrojtja dhe ndonjëherë palë të treta, si shteti kur kërkon të mbrojë interesat e tij. OJQ-të zakonisht nuk janë palë në proces. Ato mund të thirren si dëshmitarë ekspertë ose të dorëzojnë raporte, por jo më shumë se kaq. Në këtë rast, kjo nuk ka ndodhur. Kjo OJQ ka vendosur, si në raste të tjera, të analizojë funksionimin e gjykatës dhe punën e saj në lidhje me krimet e pretenduara të anëtarëve të UÇK-së në periudhën 1998–1999”, deklaron ajo për KosovaPress.

Sipas saj, ky raport, nuk mund të jetë pjesë e procedurës sepse rasti është i mbyllur dhe gjyqtarët do të vendosin vetëm mbi bazën e provave të paraqitura nga dy palët gjatë procesit.

Shqetësim i madh gjatë këtij procesi është ngritur edhe për pranimin nga ana e Gjykatës Speciale të dokumenteve prej autoriteteve të Serbisë, në cilësinë e provave materiale.

Për këtë çështje flet edhe Tromp, e cila punoi për shumë vite në Tribunalin e Hagës për ish-Jugosllavinë.

Një raport të tillë si të ekspertëve britanikë, Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) kishte kërkuar në shumë se në një takim me partitë opozitare.

“Tek të gjitha partitë politike opozitare që janë parlamentare kemi kërkuar, njëra prej arsyeve kur jemi takuar me ta, kam kërkuar votën e deputetëve të tyre për kontraktimin e një instituti të pavarur ndërkombëtar që shkon dhe e monitoron procesin në Gjykatën Speciale atje. Prandaj ne e vlerësojmë lartë gatishmërinë e partive politike opozitare parlamentare që na kanë dhënë neve mbështetjen që kurdo që kjo ide vjen në kuvend, ne jemi të gatshëm të japim votën tonë. Mund të them lirisht që të gjithë deputetët opozitarë kanë qenë të gatshëm që të japin votën që kuvendi si institucioni më i lartë në vendin tonë të mund të kontraktojë një institut sepse tek e fundit edhe vet Gjykata Speciale buron nga kuvendi. Por, nuk ka pasur vullnet qeveritar që qeveria të iniciojë sepse Ministria e Drejtësisë do të ishte dashur të iniciojë diçka të tillë dhe të vij dhe të marrë aprovimin edhe në kuvend”, thekson nënkryetari i OVL-UÇK-së, Gazmend Syla.

Syla shton se raporte të tilla në shumë raste në botë kanë parandaluar gjykim të njëanshëm dhe politik.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi kanë thënë fjalët e tyre përfundimtare më 18 shkurt ku edhe një herë janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës. Edhe mbrojtja e tyre ka mohuar krimet për të cilat pretendon Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Gjykimi ndaj katërshes së UÇK-së ka nisur më 3 prill 2023 - gati tri vjet pas konfirmimit të aktakuzës prej kur ish-krerët e UÇK-së mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026