Sejat Jakupi me “Telex” i vë kapakun mega-festivalit të rokut dhe bluzit në Prizren
Kulturë
Lexohet për: 4 min.
Dëgjoje me zë...
Sejat Jakupi me “Telex” i vë kapakun mega-festivalit të rokut dhe bluzit në Prizren
06/07/2026 - 11:02
Linku u kopjua
Nata e tretë dhe e fundit e “Rock & Blues Music Festival” në Prizren, riktheu në skenë pas një kohë të gjatë, legjendën e rokut kosovar, Sejat Jakupin dhe bendin “Telex”
Vetë Jakupi, që është solist, kitarist e kompozitor u shpreh i emocionuar për mikpritjen që mori në festival.
"Kjo është fantazi për mua, me të vërtetë. Unë jam... jam me të vërtetë... po ndihem shumë mirë. Aq mirë më kanë pritur këtu, aq shumë janë kujdesur për mua, edhe për bendin tim. Është fantazi, Prizreni është fantazi. Shumë po më pëlqen”.
Artisti vlerësoi veçanërisht praninë e të rinjve në koncert, duke theksuar se ishte i befasuar që ata i njihnin këngët e tij, të krijuara dekada më parë.
“Është shumë e rëndësishme për muzikën, sepse të rinjtë e mbajnë muzikën më tutje. Isha pak i befasuar sepse të gjithë këta të rinj i dinë këngët e mia, edhe pse i kam bërë në vitet ’80. Me këta të rinjtë e Prizrenit ndihem shumë i ri. Edhe pse jam 65 vjet, po ndihem shumë më i ri”, deklaroi Jakupi.
Enkas, për ta ndjekur performancëën e Jakupit dhe “Telexit”, në natën e tretë të “Prizren Rock & Blues Music Festival”, kishte ardhur edhe këngëtari Dren Abazi.
Në një prononcim për KosovaPress, ai shprehu vlerësim të madh për artistin, duke e cilësuar si një nga zërat më të mirë që ka pasur muzika shqiptare.
“Unë sot kam ardhur enkas për me dëgjuar zotërin Sejat Jakupin edhe Telex-at. Për Sejatin gjithmonë kam pasur një admirim prej distancës. Kemi shkëmbyer mesazhe disa herë, por sot e kam takuar për herë të parë. Është i jashtëzakonshëm edhe si njeri, edhe si artist. Për mua është padyshim zëri më i bukur shqiptar. Unë vetë jam këngëtar, kështu që këngëtar më të bukur artistikisht se Sejati, për mua, nuk ka dhe nuk ka pasur”, tha Abazi.
E gazetari Kushtrim Sadiku, që për tre netë u shfaq si moderator i festivalit, tha se ky orgabnizim tashmë ka krijuar identitetin e tij dhe po shndërrohet në një pikë të rëndësishme të muzikës rock në rajon.
“Mendoj që festivali Rock & Blues ka marrë formë. Marrë parasysh se po flasim për vitin e katërt, çdo vit ka pasur më shumë publik dhe më shumë përmbajtje me grupet që kanë ardhur, si nga vendi ashtu edhe nga jashtë. Viti i katërt ka qenë një lloj tribute për bende shumë të njohura si Led Zeppelin, Dire Straits Legacy dhe Guns N’ Roses, ndërsa ka sjellë edhe artistë që prej kohësh nuk janë parë në skenë, si BB Poqi dhe Telex me Sead Jakupin. Mendoj se këtë vit kemi festivalin më të suksesshëm që është organizuar ndonjëherë në rrafshin e rock-ut dhe besoj se tashmë është krijuar një adresë që Prizren Rock & Blues të jetë kryeqendra e rock and roll-it për shqiptarët, por jo vetëm”, u shpreh Sadiku.
Ndërsa bendi 11 anëtarësh “Dhjetori” solli një interpretim ndryshe në natën e tretë të “Prizren Rock & Blues Music.
“E kam nderin me performuar në Rock & Blues. Fillimet e mia i kam nisur me rock, ndërsa tani kemi ardhur me një eksperiment, ku këngët e mia që i kam bërë komerciale po i kthejmë pak në rock. Është një vibe shumë i mirë.”, tha Krasniqi. /Kosovapress/