Rajoni
Vuçiq u arsyetua para Putinit: Ja lista e shteteve ku eksportojmë armë, ku është problemi?
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i është arsyetuar presidentit rus Vladimir Putin lidhur me akuzat se municioni i prodhuar në Serbi ka përfunduar në Ukrainë përmes vendeve të treta. Në një intervistë për gazetën gjermane Süddeutsche Zeitung, Vuçiq tha se gjatë një takimi me Putinin në Pekin i kishte paraqitur listën e vendeve ku Serbia eksporton armë dhe municion, transmeton KosovaPress. “Fola me Putinin në Pekin, i tregova listën e vendeve eksportuese dhe i thashë: ‘Ja lista, cili është problemi?’ Pastaj ai tregoi Poloninë, por atje kanë shkuar vetëm municione për pushkë gjuetie. Po, pati eksporte në Çeki, Britaninë e Madhe dhe disa vende të tjera, dhe në fund një pjesë e tyre përfundoi në Ukrainë”, tha Vuçiq, shkruan Vijesti.ba, transmeton KosovaPress. I pyetur nëse Putini tregoi mirëkuptim, Vuçiq tha se i kishte kujtuar atij se Serbia nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë dhe se për këtë vendi i tij ka pësuar shumë. “Më shumë sesa mund ta imagjinoni. Dhe nuk kërkoj mirënjohje për këtë, nuk e kam bërë për ju, por për pozicionin tonë politik, sepse besoj se sanksionet nuk janë të dobishme. Por unë kam 28 mijë njerëz që punojnë në sektorin ushtarako-industrial në Serbi. Depot tona janë plot me granata, raketa dhe municion të kalibrave të ndryshëm. Ne duhej t’i nxirrnim në shitje në mënyrë që këta njerëz të merrnin paga dhe të mund të jetonin”, tha Vuçiq. Ai madje kritika pati për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për gjoja qëndrimin e presidentit Donald Trump ndaj Serbisë. "Amerikanët na kanë ndihmuar shumë të gjithëve këtu në rajon, duke siguruar paqen dhe stabilitetin në Bosnjë dhe Hercegovinë. Shpresoja që ata të mbanin një qëndrim më të ashpër kundër regjimit të Kurtit në Kosovë... Dhe ekziston ai i ashtuquajturi Komitet i Paqes, ku Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani del si yll. Nuk e prisnim këtë nga administrata Trump", tha ai.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026