Drejtori programor i Center for Research, Transparency and Accountability, Rasha Nedeljkov deklaroi të hënën se kanë identifikuar 12 lista të rreme në Serbi, për zgjedhjet lokale të caktuara për 29 mars në 10 njësi të vetëqeverisjes lokale, si dhe dyshon se edhe katër lista të tjera mund të jenë të tilla.
Nedeljkov tha për televizionin N1 se një nga mënyrat me të cilat partia në pushtet SNS përpiqet të manipulojë procesin zgjedhor është pikërisht përmes këtyre listave të rreme, transmeton danas, përcjell KosovaPress.
Ai shtoi se 12 prej tyre janë praktikisht lista të rreme, ndërsa CRTA dyshon edhe për katër të tjera. Sipas tij, është e sigurt që personat që gjenden në këto lista janë pjesë e partisë në pushtet, por janë kandiduar në lista të veçanta që duhet të japin përshtypjen e listave studentore ose opozitare.
“Kjo jo vetëm që krijon konfuzion tek qytetarët, por është edhe inxhinieri zgjedhore që ndikon në numrin e votave në komisionet e vendvotimeve dhe në komisionet komunale zgjedhore”, tha Nedeljkov.
Sipas tij, listat lokale të SNS zakonisht mbajnë në emër edhe emrin e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Marka kryesore e SNS është Aleksandar Vuçiq, gjë që tregon se besimi te liderët lokalë është i ulët. SNS në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale ka fituar më pak vota sesa kandidati presidencial”, shtoi Nedeljkov, duke vlerësuar se bëhet fjalë për një taktikë jodemokratike.