Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, ka përsëritur qëndrimin e Berlinit se përgjegjësit për sulmin e armatosur në Banjskë, në shtator të vitit 2023, duhet të përballen me drejtësinë.
Duke folur për Milan Radoiçiqin, i cili është përgjegjës për organizimin e sulmit, Rudolph tha se Gjermania e ka dënuar ngjarjen me gjuhën më të ashpër dhe vazhdon të kërkojë që autorët të japin llogari.
I pyetur nëse Milan Radoiçiq do të ekstradohej në Kosovë në rast se do të hynte në territorin e Gjermanisë, ambasadori Reiner Rudolph u përgjigj se ai do të ndalohej.
“Ai do të ndalohej, natyrisht”, tha Rudolph në emisionin “Info Magazine” në Klan Kosova, transmeton KosovaPress.Megjithatë, Interpoli ka lëshuar një fletëarrest ndërkombëtar për të, me kërkesë të Kosovës, përmes Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK).
Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë për sulmin në Banjskë, ndërsa mes 45 të akuzuarve është edhe Milan Radoiçiq, i cili është përshkruar si “udhëheqës i grupit terrorist”.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian i bëjnë thirrje Beogradit që të ndjekë penalisht përgjegjësit për sulmin në Banjskë.