Koncerti i Kanye West në Tiranë përplas qeverinë dhe opozitën
Drejtat Autoriale
Lexohet për: 3 min.
Dëgjoje me zë...
Koncerti i Kanye West në Tiranë përplas qeverinë dhe opozitën
1778163126_xhixhomalaj
07/05/2026 - 19:56
Linku u kopjua

Një debat i ashpër ka përfshirë seancën e fundit parlamentare, ku në qendër të diskutimeve, krahas çmimit të naftës, është bërë edhe lajmi për një koncert të reperit botëror Kanye West në kryeqytet. Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, hodhi akuza të forta ndaj qeverisë për shpërdorim të fondeve publike, ndërsa Ministri i Financave, Petrit Malaj, i cilësoi këto pretendime si të pavërteta.

Gjatë diskutimit për aktin normativ mbi akcizën e naftës, deputetja Erisa Xhixho u ndal te shpenzimet e qeverisë, duke i konsideruar ato si fyese në një kohë kur vendi, sipas saj, ndodhet në prag të një krize ekonomike. Ajo kërkoi llogari specifike për një fond prej 50 milionë eurosh, që sipas saj, do të përdoret për ndërtimin e një stadiumi të përkohshëm (montim-çmontim) për koncertin e Kanye West.

“Keni alokuar ju 50 mln euro për një koncert që do të bëhet në Tiranë, për një stadium montim-çmontim? Në kolaps të krizës ju vendosni 50 mln euro për një koncert? A mbani ju përgjegjësi që kur nuk ulni çmimin e naftës, çoni lekë për propagandë?”, deklaroi Xhixho gjatë fjalës së saj.

Malaj: Është ‘fake news’. Shteti do të investojë 0 lekë në këtë aktivitet

Ministri i Financave, Petrit Malaj, ka reaguar menjëherë duke mohuar në mënyrë kategorike alokimin e ndonjë fondi shtetëror për këtë aktivitet. Ai e cilësoi lajmin si “Fake News”, duke argumentuar se shifra e përmendur nga opozita është e palogjikshme në raport me të gjithë buxhetin e shtetit për kulturën.

Duke hedhur poshtë pretendimet e deputetes, Ministri Malaj u shpreh:

“Ku e keni dëgjuar këtë shifër? I gjithë buxheti i Ministrisë së Kulturës është 70 milionë euro. Është ‘fake news’. Shteti do të investojë 0 lekë në këtë aktivitet. Buxheti është miratuar dhe ju si deputete jeni në dijeni se ku shkojnë fondet.”

Përplasja për koncertin erdhi si pasojë e debatit më të gjerë mbi koston e jetesës, raporton RTSH.

Xhixho kritikoi propozimin e qeverisë për uljen me vetëm 20% të akcizës kur nafta arrin 220 lekë, duke e quajtur atë një masë të pamjaftueshme që nuk ndihmon qytetarët. Nga ana tjetër, qeveria insiston se buxheti është i orientuar drejt investimeve të programuara.


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026