Aktivitete të shumta kulturore për ditëlindjen e Skënderbeut
Lajme
Lexohet për: 4 min.
Dëgjoje me zë...
Aktivitete të shumta kulturore për ditëlindjen e Skënderbeut
skenderbeu new
06/05/2026 - 08:32
Linku u kopjua

Në nder të heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, sot në Prishtinë do të zhvillohen një sërë aktivitetesh përkujtimore, kulturore dhe shkencore që mbledhin qytetarë, studiues dhe delegacione nga trojet shqiptare dhe diaspora arbëreshe.

Aktivitetet, organizim i Shoqatës Shqiptaria, do të nisin me fillim nga ora 09:00 me homazhe dhe vendosje kurorash lulesh pranë shtatores së Skënderbeut në Sheshin “Skënderbeu”, ndërsa do të organizohen edhe takime zyrtare ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe delegacioneve arbëreshe, ku do të diskutohet mbi ruajtjen e identitetit arbëresh dhe thellimin e bashkëpunimit kulturor.

Në orën 10:00, Instituti i Historisë organizon një simpozium shkencor kushtuar jetës dhe veprës së Gjergj Kastrioti Skënderbeu, ku studiues të fushës trajtuan dimensionet historike dhe ndikimin e tij në identitetin kombëtar.

Pasdite, në Sheshin “Nënë Tereza” hapet ekspozita tematike “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu në artin kombëtar”, duke sjellë interpretime artistike të figurës së tij ndër vite.

Programi vijon me një defilim festiv qendror nga ora 14:00 deri në 16:00, ku do të marrin pjesë grupe artistike arbëreshe dhe ansamble folklorike, duke krijuar një atmosferë festive në rrugët kryesore të qytetit.

Në orën 16:00, sipas njoftimit për media, do të mbahet koncerti festiv qendror në Sheshin “Skënderbeu”, ndërsa aktivitetet do të kulmojnë në mbrëmje me një program artistik alternativ “Skënderbeg party”, duke përmbyllur kështu një ditë të dedikuar trashëgimisë dhe figurës së heroit kombëtar.

Këto aktivitete synojnë jo vetëm përkujtimin e Gjergj Kastrioti Skënderbeu, por edhe forcimin e lidhjeve kulturore dhe identitare ndër shqiptarë kudo që ndodhen.

Kujtojmë se, heroi kombëtar Gjergj Kastriot - Skënderbeu ka lindur më 6 maj të vitit 1405, në një familje fisnike të Dibrës, siç ishte ajo e Gjon Kastriotit.

Ai u mor peng nga Sulltan Murati dhe luftoi për Perandorinë Otomane si gjeneral deri në vitin 1443, vit në të cilin u largua gjatë një beteje, duke u rikthyer në Krujë. Në vitin 1444 ai mblodhi të gjithë princërit shqiptarë në Lidhjen e Lezhës, ku u vendos unanimisht të luftohej për marrjen në zotërim të trojeve shqiptare kundër Perandorisë otomane.

Në krye të ushtrisë shqiptare, pas fitores së parë kundër otomanëve në betejën e Torviollit, Skënderbeu do të korrte 22 fitore të mëdha kundër Perandorisë osmane, në vitet e luftës në krye të ushtrisë së vet, që kishte si kryeqendër Krujën. 

Heroi kombëtar do të njihej për luftën e tij të paepur në një vend kyç mes lindjes dhe perëndimit. Ai do të njihej si besnik i mbretit të Napolit në traktatin e Gaetës, ku mbështeti mbretin Ferdinand të Napolit në luftën civile të viteve 1460–1461. Në vitin 1463 ishte komandant i forcave të kryqëzatës së Papa Piut II, ndërsa vdiq më 17 janar 1468, në moshën 63-vjeçare. Ai konsiderohet nga shumë vende të Evropës Perëndimore si heroi që pengoi Perandorinë otomane të pushtonte Perëndimin e Evropës dhe si modeli i rezistencës së krishterë ndaj otomanëve myslimanë.

Në nder të heroit kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu mbahen homazhe dhe nderime te shtatorja e Gjergj Kastrioti Skënderbeu. (Sheshi “Skënderbeu”, Prishtinë, ora 09:00)

Takime zyrtare institucionale me delagacione arbëreshe me institucionet e Kosovës. Diskutim mbi ruajtjen e e identitetit arbëresh dhe bashkëpunimin kulturor. (Deklarata për media, ora 09:00-12:00)

Simpozium shkencor për figurën e kryeheroit Skënderbeu. (Instituti i Historisë, ora 10:00)

Hapet ekspozita tematike: “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu në artin kombëtar”. (Sheshi “Nënë Tereza”, ora 13:00)

Defilim festiv qendror për ditëlindjen e Skënderbeut. Pjesëmarrës grupe artistike arbëreshe dhe ansamble folklorike. (Sheshi “Zahir Pajaziti” - sheshi “Nënë Tereza” - sheshi “Skënderbeu”. (Ora, 14:00-16:00)

Koncert festiv qendror në nderim të Skënderbeut. (Sheshi “Skënderbeu”, ora 16:00)

Mbrëmje artistike në nderim të Skënderbeut “Skënderbeg party”. Skena alternative, ora 20:00)


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026