Kancelari gjerman Friedrich Merz ka propozuar që Kosovës dhe vendeve tjera të Ballkanit Perëndimor, e po ashtu edhe Moldavisë t’u përshpejtohet procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian, përmes zgjidhjeve të reja që do t’i afronin më shpejt me institucionet dhe tregun e përbashkët evropian.
Në një letër drejtuar presidentit të Këshillit Evropian António Costa, presidentes së Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe presidentit të Qipros Nikos Christodoulides, të cilë ne ka parë portal European Western Balkans (EWB), Merz ka theksuar se zgjerimi i Bashkimit Evropian është një domosdoshmëri gjeopolitike, por se procesi aktual po zgjat “shumë tepër”.
“Propozoj që të shqyrtojmë zgjidhje inovative edhe për ato vende kandidate që janë duke u përgatitur për anëtarësim tash e një kohë të gjatë dhe që t’ua përshpejtojmë procesin e anëtarësimit”, ka shkruar Merz, raproton EWB, transmeton KosovaPress.
Ai ka propozuar që këto vende të kenë qasje të privilegjuar në Tregun e Përbashkët Evropian dhe lidhje më të afërta me institucionet e BE-së në procesin e përditshëm të vendimmarrjes.Merz ka shtuar se kjo qasje do t’i afronte ndjeshëm vendet kandidate me Bashkimin Evropian dhe do të nxiste reforma të reja drejt anëtarësimit të plotë.

Nga të gjitha shtetet e Ballkanit, Kosova ndodhet më së largu në rrugëtimin e saj për t’u bërë pjesë e Unionit. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti pati dorëzuar aplikimin për anëtarësim, qysh më 2022, por kërkesa nuk ka marrë ndonjë përgjigje ende. Shqipëria dhe Mali i Zi qëndrojnë më së miri në këtë rrugë, para shteteve tjera sikur janë Serbia, Maqedonia e Veriut, Bosnja e Hercegovina dhe Kosova
“Megjithatë, nuk kemi kohë për vonesa të tjera. Tani është koha të ecim përpara me integrimin evropian të Ukrainës përmes zgjidhjeve inovative”, ka shkruar Merz.
Letra e Merz vjen në kohën kur në Bashkimin Evropian po zhvillohen diskutime të reja për zgjerimin, ndërsa javën e kaluar pesë shtete anëtare kanë propozuar qasje graduale të vendeve kandidate në tregun e përbashkët evropian si mënyrë për të ruajtur momentumin e zgjerimit. /KosovaPress/