Shefi i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Giovanni Pietro Barbano, në përfundim të mandatit të tij, ka vlerësuar se Kosova ka shënuar përparim në fushën e sigurisë dhe sundimit të ligjit, por ka paralajmëruar se kriza e zgjatur politike dhe mungesa e institucioneve të reja paraqesin rrezik për funksionimin demokratik të vendit.
Duke folur për bllokadën politike pas zgjedhjeve, në një intervistë për KosovaPress, shefi i EULEX-it theksoi se Kosova ka nevojë sa më shpejt për institucione të reja. Derisa fjalë të mira pati për procesin e fundit zgjedhor , për të cilin tha se është zhvilluar në mënyrë të qetë dhe demokratike.
Ai paralajmëroi se zvarritja e krizës politike mund të krijojë hapësirë për probleme institucionale.
“Sa më gjatë të vazhdojë një krizë politike pa mbikëqyrjen e një parlamenti dhe kuvendi plotësisht funksional, aq më të mëdha janë mundësitë që të ndodhin mospërputhje institucionale. Prandaj është jashtëzakonisht e rëndësishme që të gjitha organet kushtetuese të jenë funksionale dhe të veprojnë siç duhet për të mbrojtur demokracinë, për të garantuar të drejtat e njeriut dhe për të vazhduar rrugën evropiane. Kjo do të mundësojë ndërmarrjen e hapave të nevojshëm për përafrimin e Kosovës me standardet që kërkohen për integrimin e saj të mundshëm në Bashkimin Evropian”, nënvizoi ai.Ai shtoi se, në rast të themelimit të një strukture të tillë, ajo duhet të përfshihet në mekanizmat ekzistues të koordinimit me Policinë e Kosovës, KFOR-in dhe EULEX-in.

Duke folur për situatën në veri të vendit, Barbano tha se gjendja është përmirësuar ndjeshëm krahasuar me periudhën para sulmit në Banjskë, por mbetet e ndjeshme.
“Dëshira e Bashkimit Evropian është ta mbështesë Kosovën në rrugën e saj drejt qëndrueshmërisë dhe efektivitetit të institucioneve të sundimit të ligjit, si dhe në rrugën e saj drejt Evropës. Mund t’ju them se në kontaktet e mia me autoritetet e Kosovës kam marrë vetëm fjalë vlerësimi dhe mirënjohjeje për punën tonë në mbështetje të institucioneve të sundimit të ligjit. Prandaj, është një kombinim i të dyjave. Për sa kohë që autoritetet dhe institucionet e Kosovës e kërkojnë praninë dhe mbështetjen tonë, ne do të jemi shumë të lumtur të vazhdojmë ta ofrojmë këtë mbështetje”, përfundoi ai.