Një shenjë që ndalon kërcimin prej urës, apo edhe disa rrethoja më të larta, do të duhej të vendoseshin në urën e Liqenit të Ujmanit, thotë eksperti i komunikacionit, Bekim Ahmeti.
Çështja e sigurisë në vende të tilla u tematizua edhe më shumë pas një ngjarjeje tragjike që ndodhi të dielën, më 27 korrik. Një 33-vjeçar u raportua se kërceu nga ura dhe u mbyt në Liqenin e Ujmanit. Trupi i tij u gjet vetëm tri ditë më vonë nga ekipet e specializuara të kërkim-shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani thotë për KosovaPress se, pas rastit tragjik të 33-vjeçarit, kanë diskutuar me Ndërmarrjen Hidroekonomike “Ibër-Lepenc” për vendosjen e shenjave.
“Jo, s’ka pasur [shenja paralajmëruese]....Kemi biseduar [me Ibër Lepencin] pasi ka ndodhur rasti, u kemi thënë se kush është përgjegjës për vendosjen e shenjave aty dhe besoj që Ibër Lepenci e merr sepse ata janë përgjegjës për liqen e për këto, ata do të punojnë për vendosjen e shenjave ku do që ka nevojë të përcaktojë vendin, zonën e ndalimit ku nuk duhet të lahen”, thotë ai për KosovaPress.
“Nuk ka pasur shenja. Ato normalisht duhet të koordinohen, unë nuk vendosi shenja. Duhet me u thirr në ndonjë ligj që të vendosen shenja. Sa i përket infrastrukturës, sa i përket Ibër Lepencit në digë, në kanal edhe në central shenjat janë. Tash unë nuk mund të vendosi shenja nëpër ura, nëpër krejt autostradën që kalon ka liqeni... Unë nuk mund t’i vendosi vet këto gjëra, normalisht që duhet të kemi koordinim jo vetëm me Ministrinë e Punëve të Brendshme, sepse këtu ngërthehen shumë gjëra. Është Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, është liqeni. Ende statusi i liqenit nuk është i definuar a është uji për pije, sepse uji i liqenit të Ujmanit përdoret për pije. I ka disa kufizime të caktuara, është pak një operacion që kërkon ndërthurje të shumë ministrive”, thotë ai.
Në anën tjetër, Departamenti i Menaxhimit të Rrugëve në kuadër të Ministrisë së Infrastrukturës nuk është përgjigjur lidhur me këtë çështje, deri në publikimin e këtij artikulli.
Liqeni i Ujmanit ndodhet në Zubin Potok, e cila është një nga katër komunat veriore të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.
Dje, gjatë kohës sa po zhvillohej operacioni i kërkim-shpëtimit, kryetari i kësaj komune, Izmir Zeqiri tha se terreni është i vështirë dhe se thellësia është e madhe.
KosovaPress ka pyetur Policinë e Kosovës lidhur me numrin e rasteve tragjike nëpër liqe, por nuk ka marrë përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli./Sh.Pajaziti
https://kosovapress.com/gjendet-trupi-i-pajete-i-33-vjecarit-ne-liqenin-e-ujmanit