Mbrojtja e të akuzuarve për rastin “Banjska” ka nisur fjalët përfundimtare në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Nën masa të larta të sigurisë janë sjellur edhe sot në gjykatore të akuzuarit, Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq, të cilët akuzohen për sulmin terrorist në Banjskë në shtatorin e vitit 2023.
Pas fjalës së avokatit, i akuzuari Bllagoje Spasojeviq tha se ka menduar të pranojë fajësinë, por që në anën tjetër tha se “nuk mund të them se jam terrorist”.
Mbrojtja e Bllagoje Spasojeviq, avokati Ljubomir Pantoviq tha se “aktakuza është e përpiluar gabimisht”. Në fjalën e tij përfundimtare, ai pretendoi se gjitha provat e Prokurorisë Speciale janë “të padobishme”.
Gjatë parashtrimeve të tij në gjykatore, avokati serb pati vërejtje edhe në renditjen e emrit të klientit të tij në aktakuzë.
Në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator 2023 Policia e Kosovës u ballafaqua me sulm terrorist.
Nga sulmi terrorist i shtatorit të vitit 2023, mbeti i vrarë rreshteri 50-vjeçar nga Vushtrria, Afrim Bunjaku, ndërkaq u plagos zyrtari policor Alban Rashiti e u lënduan Çlirim Shaqiri, Mirsad Kryeziu e Sedat Dushi.
Sipas aktakuzës, ata kanë kryer veprën penale “kryerja e veprës terroriste” dhe veprën penale “veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”. Disa nga ata akuzohen edhe për financim të grupit, e shpërlarje të parasë.
Në këtë rast po gjykohen Vlladimir Tolliq, Bllagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq. Që të tre të akuzuarit i kanë mohuar akuzat para gjykatës.
Serbia ende nuk ka dorëzuar kriminelët e Banjskës, përkundër kërkesave të vazhdueshme të autoriteteve vendore dhe të disa aleatëve ndërkombëtarë. /Sh.Pajaziti/