E ardhmja e sulmuesit spanjoll Ferran Torres te Barcelona mbetet e paqartë, pavarësisht rolit të rëndësishëm që pati në skuadrën e drejtuar nga Hansi Flick gjatë sezonit të kaluar.
Torres ka hyrë në vitin e fundit të kontratës me klubin katalanas dhe deri më tani nuk ka marrë një ofertë për rinovim. Sipas raportimeve të mediave spanjolle, Barcelona pritet të presë përfundimin e afatit kalimtar për t’i ofruar kontratë të re, pasi një rinovim në këtë fazë mund ta vështirësojë regjistrimin e lojtarëve të rinj për shkak të kufizimeve financiare.
Trajneri i PSG-së, Luis Enrique, i cili ka bashkëpunuar më parë me Torresin te Kombëtarja e Spanjës, dëshiron ta ketë sulmuesin në skuadër. Klubi francez i ka ofruar atij rolin e zëvendësuesit kryesor në sulm, pozitë që sezonin e kaluar i takonte Gonçalo Ramosit, i cili së fundmi është transferuar te Milani.
Nga ana tjetër, Ferran Torres pati një sezon më produktiv në aspektin ofensiv, duke shënuar 16 gola në 33 paraqitje në La Liga, statistikë që e bën një nga sulmuesit më efikas të Barcelonës.
Megjithatë, trajneri Hansi Flick vazhdon ta konsiderojë spanjollin një pjesë të rëndësishme të projektit të tij. Mbetet të shihet nëse oferta e PSG-së do të jetë e mjaftueshme për ta bindur Torresin të largohet nga “Camp Nou” gjatë kësaj vere.