Kryenegociatori i Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, ka paralajmëruar se funksionalizimi i shpejtë i institucioneve të Republikës është vendimtar për përfitimin e fondeve nga Plani i Rritjes, duke konfirmuar se vendi tashmë ka humbur mbi 40 milionë euro për shkak të vonesave në zbatimin e reformave.
Në emisionin "Intervista e Javës" në KosovaPress, ai tha se Kosova do ta dorëzojë më 15 korrik raportin e parë mbi zbatimin e Agjendës së Reformave (që përmban 111 hapa) në bazë të së cilës pritet të kërkojë lirimin e më shumë se 100 milionë eurove që i takojnë nga Plani i Rritjes.
Zulfaj theksoi se mjetet financiare nuk transferohen automatikisht, por lidhen drejtpërdrejt me përmbushjen e secilit obligim të marrë nga Kosova në kuadër të Planit të Rritjes.
“Ne, me Planin e Rritjes do të duhej që çdo gjashtë muaj, të dërgojmë një raport tek Bashkimi Evropian, për progresin në agjendën e reformave. Agjenda e reformave i ka 111 hapa, të cilat janë vendosur nga institucionet tona si reforma...Ne deri më 30 qershor, rezulton që i kemi përmbushur 18 hapa. Nga këto 18 hapa do të shohim se cili do të jetë vlerësimi i Komisionit. Më 15 korrik ne do ta dërgojmë raportin bashkë me evidencën e përfundimit të hapave. Bashkimi Evropian ka tre muaj në dispozicion për të bërë vlerësimin e raportit tonë, bashkë me evidencën që e bashkëngjitim, për të vlerësuar nëse kështu qëndron siç kemi raportuar ne, dhe në momentin që konstatohet pozitivisht secili hap që është arritur, atëherë secili hap e ka një shumë të fondeve që duhet të jetë mbi 100 milionë euro fatura, le të themi, për lirimin e fondeve që ne do ta kërkojmë në këtë fazë. Sigurisht që do të ishte shumë më shumë sikur të hynte në fuqi marrëveshja më herët, edhe sikur të kishim një Kuvend i cili funksionon”, deklaroi ai.Sipas kryenegociatorit, kjo situatë i ka kushtuar Kosovës rreth 40 milionë euro fonde që konsiderohen të humbura për arsye se ato nuk u “merituan” në kohën e duhur.
Ai tha se reformat e mbetura nuk janë braktisur dhe se ato do të mund të miratohen nga legjislatura e re, por vonesat kanë pasoja financiare që ndikojnë në zbatimin e Planit të Rritjes.
Duke folur për përgjegjësinë politike për humbjen e këtyre mjeteve, Zulfaj tha se bllokada institucionale e 2025-ës ka ndikuar në mosarritjen e objektivave për 2026, teksa insistoi se çështjet politike nuk duhet të pengojnë proceset që lidhen me përfitimin e fondeve evropiane.
Ai paralajmëroi gjithashtu se nëse nuk ka marrëveshje e pajtim politik deri në fund të vitit Kosova mund të përballet me një tjetër sfidë, që nënkupton rrezikun potencial për të humbur edhe 100 milionë tjera. Kjo për faktin se deri më 31 dhjetor duhet të zbatohen edhe dhjetëra hapa të tjerë të Agjendës së Reformave, për të cilët vendoset në Kuvend.
Sipas Zulfajt, këto mjete janë të destinuara për investime në infrastrukturë, arsim, drejtësi, digjitalizim dhe fusha të tjera zhvillimore, prandaj ai u bëri thirrje të gjitha forcave të tregojnë përgjegjësi dhe të mos lejojnë që përplasjet politike të bllokojnë reformat dhe fondet e Bashkimit Evropian.
Plani i Rritjes është një kornizë e re e BE-së e cila nxit përshpejtimin e reformave për integrim evropian të tërë rajonit të Ballkanit Perëndimor, që kombinon reformat me kontribut të drejtpërdrejtë financiar nga fondet e Bashkimit Evropian në buxhetet e vendeve përfituese dhe projekte investuese.
Me zbatimin e këtyre reformave që po i kërkohen, por të cilat i duhet gjithsesi shtetit, Kosova do të përfitojë deri në 882,6 milionë euro fonde të BE-së. Nga kjo shumë totale, 253,3 milionë euro janë grante, ndërsa pjesa tjetër prej 629,3 milionë eurosh janë hua afatgjata.