Presidenti i Kosovës duhet të zgjidhet para formimit të Qeverisë, thotë ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani. Sipas tij, pas konstituimit të Kuvendit, deputetët duhet fillimisht të trajtojnë çështjen e zgjedhjes së presidentit, veçanërisht tash kur posti i kreut të shtetit është vakant. Ai thekson se një renditje e tillë buron nga norma kushtetuese dhe interpretimet e Gjykatës Kushtetuese.
Hasani në emisionin “Intervista e Javës” në KosovaPress, sqaron se sapo të zgjidhet kryetari i ri i Kuvendit pas zgjedhjeve të 7 qershorit, ai fiton një mandat të ri gjashtëmujor si ushtrues i detyrës së presidentit.
Sipas tij, edhe nëse zgjidhet sërish kryetare e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ajo ka mandat të ri gjashtëmujor si ushtruese e detyrës së presidentit.
Në zgjedhjet e 7 qershorit, sipas rezultateve preliminare, morën pjesë vetëm 725 mijë e 701 qytetarë, rreth 200 mijë më pak sesa në procesin e kaluar zgjedhor.
“Arsyeja është kjo, fiks për shkak se është parë domethënë që është një lloj tallje me mandatin e ofruar, me besimin që e ka dhënë qytetari për këto tri palë zgjedhje brenda një periudhe kaq të shkurtër, dhe është parë që është e kotë. Domethënë, ajo është, e sheh drita e kuqe për pushtetin... Te partia në pushtet nuk bëhet fjalë për faktorë subjektivë individualë, por bëhet fjalë për një zhgënjim sistemik për shkak se është pritur domethënë që vota që ishte më e madhja... ndëshkimi ka qenë në mënyrë lineare, proporcional për të gjithë. E unë mendoj që është dritë e kuqe për të gjithë që duhet me pa, me e ridefinu çështjen e agjendës dhe kauzave politike”, deklaron ai.
Ndërkohë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka fituar rreth 7.2 për qind të votave dhe tetë ulëse parlamentare. Në përbërjen e Kuvendit përfshihen edhe 20 ulëset e garantuara për komunitetet joshumicë, prej të cilave 10 i takojnë komunitetit serb dhe 10 komuniteteve të tjera. Megjithatë, këto shifra mbeten të përkohshme, pasi në to ende nuk janë përfshirë votat me kusht, votat e personave me nevoja të veçanta dhe votat e diasporës, të cilat mund të ndikojnë në shpërndarjen përfundimtare të mandateve.
Sipas tij, nëse shkohet sërish në zgjedhje të reja, do të ishte fatale për Lëvizjen Vetëvendosje.
Në intervistë, Hasani komenton edhe rezultatin e PDK-së, duke e lidhur rënien e votës me mungesën e figurave të reja dhe me një fushatë që, sipas tij, nuk solli energji apo dinamikë të re.
Sipas tij, Osmani ka pasur një rol periferik në politikën e Kosovës dhe zgjedhjet e fundit shërbyen si një test i identitetit të saj politik.
Zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit ishin të tretat që mbahen në Kosovë brenda 16 muajve të fundit, një tregues i vazhdimit të krizës politike dhe pamundësisë së subjekteve politike për të siguruar stabilitet afatgjatë institucional.