Zërat e fëmijëve drejt Nju Jorkut, mesazhe paqeje nga Kosova për botën
Lajme
Lexohet për: 6 min.
Dëgjoje me zë...
Zërat e fëmijëve drejt Nju Jorkut, mesazhe paqeje nga Kosova për botën
pamjeunmik280426
28/04/2026 - 13:57
Linku u kopjua

Rreth 40 nxënës nga komunitete të ndryshme në Kosovë, 27 fëmijë nga Fushë Kosova dhe 11 nga Dragashi u bashkuan për të krijuar pëllumba origami, simbol universal i paqes, të cilët do të dërgohen në selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, si pjesë e një instalacioni ndërkombëtar duke fuqizuar zërat e fëmijëve dhe mesazhet e paqes.

Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm dhe shefi i UNMIK-ut, Peter Due, theksoi rëndësinë e këtij aktiviteti për fuqizimin e zërit të fëmijëve si mesazhe për paqen në të gjitha vendet që ka konflikte.

“Pëllumbat tuaj do të mbajnë mesazhet tuaja dhe shpresoj se ato do të jenë mesazhe për paqen, për mirësinë dhe çfarëdo që ju ndjeni se dëshironi të shkruani. Pëllumbat tuaj do të fluturojnë, do të udhëtojnë drejt selisë së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork dhe do t'u bashkohen pëllumbave të tjerë nga fëmijët anembanë botës; disa prej tyre në zona lufte, në zona konflikti, të tjerë nga vende më paqësore si Kosova. Pra, zërat tuaj, dëshirat tuaja do të udhëtojnë me këta pëllumba”, tha ai.

Ambasadori i Sllovenisë në Kosovë, Borut Blaj, i cili ishte bashkëpunëtor i këtij projekti, nënvizoi rëndësinë e projektit i cili bën thirrje për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve dhe për paqe.

“Çdo vit, pothuajse 12,000 studentë, fëmijë, fuqizohen përmes projektit këtu në Kosovë dhe në Shqipëri. Dëshiroj të shtoj se në Kosovë, me mbështetjen e Ministrisë sllovene të Mbrojtjes, ne po e zbatojmë këtë projekt edhe në disa komuna përmes bashkëpunimit civilo-ushtarak. Jam i bindur se bazuar në Konventën e OKB-së për të Drejtat e Fëmijës, ky kontribut ekspertësh nga Sllovenia i jep një vlerë të rëndësishme shtesë trajnimit të mësuesve në fushën e të drejtave të fëmijëve. Së bashku me fëmijët nga mbarë bota, ju keni krijuar dhe keni ndarë me Kombet e Bashkuara pëllumba origami me mesazhe të shkruara brenda, që bëjnë thirrje për mbrojtjen e të drejtave tuaja dhe për paqe”, tha ai.

Ndërkaq i pranishëm ishte edhe drejtori i Arsimit në Komunën e Fushë Kosovës, Adriatik Zeqiri, i cili inkurajoi nxënësit për angazhimin e tyre dhe theksoi rëndësinë e krijimit të një shoqërie që promovon paqen dhe bashkëpunimin.

“Mbështetja jonë do të jetë e vazhdueshme. Ne do të jemi të hapur që të krijojmë një ambient sa më të mirë pune, që edhe shoqëria jonë të zhvillohet, të emancipohet dhe të jemi një shoqëri e cila reflekton për paqe, përmirësim dhe bashkëpunim gjithandej botës”, tha Zeqiri.

Ndikimin simbolik që do të kenë fëmijët në këtë projekt e vuri në pah Veronica Vashchenko nga UNICEF, duke thënë se fëmijët mund të bëjnë ndryshimin.

“Sot, bashkë me ju dhe të gjithë të ftuarit, mezi presim të bëjmë pëllumba, të cilët janë simbol i paqes. Shumë fëmijë në botë përballen me konflikte. Ata preken nga ngjarjet dhe nuk mund të shohin paqe. Kështu që veprimet tuaja sot do të kenë rëndësi, sepse mesazhet tuaja të paqes do të dërgohen te pëllumba të tillë me mesazhe paqeje të fëmijëve nga e gjithë bota, në mënyrë që një ditë, asnjë fëmijë të mos përballet me luftë apo konflikt ose të vuajë prej tyre”, tha ai.

Fëmijët pjesëmarrës ndanë mendimet dhe mesazhet e tyre për paqen, duke reflektuar mbi rëndësinë e mbrojtjes së të drejtave të tyre.

Elton Zabeli, nxënës i klasës III në shkollën “Daut Bogujevci”, në Fushë Kosovë dha mesazhin “të gjithë fëmijët meritojnë paqe”

“Ky aktivitet ka shumë rëndësi sepse fëmijët që janë në luftë nuk duhet të jenë në luftë, por në paqe, sepse ata janë të pafajshëm”, tha ai.

Ne kemi nevojë për një jetë pa lufta ishte porosia e Bora Bugojevcit nga e njëjta klasë dhe shkollë.

“Unë nga ky aktivitet kam mësuar që çdo fëmijë duhet të jetë në paqe dhe nuk duhet të jetë në luftë, sepse ata janë të pafajshëm. Dhe ne duhet të kemi paqe në jetë dhe duhet të kemi shumë gjëra të tjera”, tha ajo.

Ndërkaq Merjeme Tosumi, nxënëse nga Dragashi, theksoi mesazhin se fëmijët kanë të drejtë të jetojnë.

"Unë do të dëshiroja të thosha që fëmijët kanë të drejtë të shkojnë në shkollë, të marrin ushqim dhe çdo gjë tjetër", u shpreh ajo.

E nga shkolla “Fetah Sulejmani”, nga Dragashi, Ajla Sadiku përcolli mesazhin se të gjithë fëmijët duhet të bashkohen për t’i ndihmuar ata.

“Ky aktivitet mendojmë se ka shumë rëndësi për ata, po edhe për neve që tregojmë se si shoqëri ne mundemi me bërë diçka më mirë edhe një veprim i vogël i joni mundet me u dukë shumë i madh për botën. Mesazhi për fëmijët që janë në luftë është që nuk duhet të dorëzohen kurrë edhe të vazhdojnë të ecin përpara sepse çdokush po dëgjon zërin e tyre edhe se ne të gjithë do të bashkohemi për t'i ndihmuar ata”, tha ajo

E në fund mësuesja e klasës së III- të të shkollës “Daut Bogujevci”, Behaxhe Sopjani, që ishte pjesë e këtij projekti theksoi se mesazhet janë shkruar në anglisht dhe do të lexohen nga përfaqësues ndërkombëtarë.

“Porositë e tyre janë të shkruara të gjitha në anglisht dhe këta pëllumba me këto porositë e tyre do të dërgohen në Neë York. Atje do të lexohen nga të gjithë udhëheqësit e botës këto mesazhe të fëmijëve, ku jo vetëm fëmijët që janë të vetëdijësuar, por domethënë e gjithë bota merr një mesazh kundër luftës së fëmijëve në botë”, tha ajo.

Ky aktivitet mbështetet edhe nga Ministria e Punëve të Jashtme e Sllovenisë, e cila prej më shumë se dy dekadash financon projekte për edukimin dhe të drejtat e fëmijëve në Kosovë.

Ndërsa aktiviteti simbolik “Prove Matters” u mbajt në kompleksin e Misionit të Administratës së Përkohshme të OKB-së në Kosovë (UNMIK) e organizuar nga Zyra e Përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithshëm për Fëmijët dhe Konfliktet e Armatosura në Nju Jork.


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026