Zëdhënësi i Qeverisë Arlind Manxhuka dhe deputeti i VV-së Egzon Azemi dënohen me nga një vit e gjysmë burgim
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Arlind Manxhuka, dhe deputeti i partisë në pushtet Lëvizja Vetëvendosje (LVV), Egzon Azemi, janë dënuar secili me nga një vit e gjashtë muaj burgim nga Gjykata Themelore në Prishtinë të martën, në një rast rigjykimi për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit.
Në të njëjtin rast u dënuan me nga gjashtë muaj burgim edhe Qerim Elshani dhe Edi Zenelaj, të cilën u shpallën fajtorë për kanosje.
Palët kanë të drejtë ankese brenda 30 ditësh në Gjykatën e Apelit.
Në një reagim pas dënimit, Azemi shkroi në Facebook se ai dhe Manxhuka u dënuan “pa asnjë provë nga sistemi i vjetërsuar i drejtësisë që liron terroristët serbë”.
Ata u rigjykuan pasi Gjykata e Apelit vitin e kaluar e kishte rrëzuar një aktgjykim të më hershëm ndaj tyre, kur gjykata e kishte liruar nga akuzat Manxhukën, ndërsa Egzon Azemin, Qerim Elshanin dhe Edi Zenelajn i kishte dënuar me nga gjashtë muaj burgim secilin.
Sipas aktakuzës, Manxhuka dhe Azemi, më 28 dhjetor të vitit 2022, duke keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare nëpërmjet rrjetit social Facebook, me dashje kishin përhapur dhe nxitur urrejtje e mosdurim ndaj gjykatësit Mentor Bajraktari dhe prokurorit special Afrim Shefkiu, pas vendimit të tyre asokohe për ndryshimin e masës së paraburgimit kundër të dyshuarit Dejan Pantiq.
Pantiq, ish-polic serb i Policisë së Kosovës, ishte arrestuar më 10 dhjetor të vitit 2022 nën dyshimin për organizmin e “sulmit terrorist” të 6 dhjetorit ndaj zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veriun e banuar me shumicë serbe.
Rasti i tij kishte shkaktuar reagime në vend.
“I pandehuri Arlind ka shpërndarë postimin me fjalët: “Ky aktgjykim është akttradhëti”, pastaj kanë vazhduar me postime tjera nxitëse “Për kë punon kjo Gjykatë!?, e të ngjashme, ndërsa i pandehuri Egzon ka postuar shkrimin me fjalët: “Pas atentatit që kreu në Paris, ndaj Esat Pash Toptanit, ndër të tjera, Avniu tha”, ku këtij shkrimi i dyshuari i ka bashkangjitur një fotografi me përshkrimin: “Tradhtarët plumbin e kanë hak”, thuhej në aktakuzë.
Prokurorët argumentonin se me reagimet e tyre, Manxhuka dhe Azemi kishin ndërmarrë veprime të rrezikshme, nxitëse e linçuese me tendenca për të ndikuar apo penguar punën e gjyqtarit dhe prokurorit, dhe se veprimet e tyre kanë mundur ta prishnin rendin publik dhe ta dëmtonin imazhin dhe integritetin e tyre personal.
/Kosovapress/