Një moment sa i rrallë aq edhe prekës është regjistruar në "O2 Arena" gjatë asaj që Daily Mail Sport e cilësoi si "Luftën e Dekadës" mes Deontay Wilder dhe Derek Chisora.
Një video që po qarkullon me shpejtësi në rrjetet sociale ka kapur momentin kur Wilder, pak sekonda para se ta rrëzonte britanikun me një seri grushtesh, i pëshpëriti rivalit të tij: "Më fal, të dua".
Megjithatë, kjo "dashuri" nuk e pengoi amerikanin që ta nxirrte Chisorën jashtë litarëve të ringut, në një luftë dramatike që përfundoi me fitoren e Wilderit me vendim të ndarë të gjyqtarëve.
Pas sfidës, respekti mes dy veteranëve kaloi nga ringu në dhomat e zhveshjes, ku u panë duke ngrënë së bashku burgerë "Five Guys" që i kishte sjellë vetë Chisora.Ndërkohë, 42-vjeçari Chisora, i cili po konsideron pensionimin, u shfaq i matur për të ardhmen e tij: "Të jem i sinqertë, jam i lodhur tani. Nuk mundem më. Kur vjen koha, vjen koha. Kam pasur një karrierë të shkëlqyer".