Dhuna në familje dhe shkelja e të drejtave të komuniteteve rom, ashkalinj dhe egjiptian po nxit të rinjtë në vend për aktivizëm. Vet ata të cilët i përkasin këtyre tri komuniteteve, përmes zërit të tyre po angazhohen që këto fenomene të zhduken. Ani pse dikur të diskriminuar në shkollë, e në shoqëri, të rejat nga Kosova, kanë vendosur që përmes punës vullnetare të punojnë kundër shkeljes së të drejtave të grave që i përkasin komuniteteve.
Mergita Hoti, është zyrtare për barazi gjinore në organizatën “Roma in Action”, në Gjakovë. Për nëntë vjet ajo punon që gratë e komuniteteve të jenë të barabarta.
Së fundmi po angazhohet edhe në kuadër të “16 Ditët e aktivizimit kundër dhunës me bazë gjinore”, ku tregon se në takime do të përfshihen gratë e komuniteteve.
“Tash këto ditë jemi në përgatitje të projektit, i cili është për 16 ditë aktivizëm kundër dhunës në baza gjinore, ku do të bëjmë disa aktivitete me gratë e komuniteteve në përgjithësi. Do të mbahen dy takime të ndryshme nëpër lagjet e grave të komuniteteve, ku do të jenë edhe akterët kryesor, të cilët do të iu shpjegojnë se çka është barazia gjinore... Gjithashtu, do të mbajmë një tryezë të rrumbullakët ku do të jenë të ftuar persona të ndryshëm por edhe pjesëtarë të Komunës së Gjakovës, ku do t’i informojnë edhe më shumë vajzat e komuniteteve se si duhet të jenë pjesë e vendimmarrjes dhe çdo gjë që është në të mirën e tyre si pjesë e komuniteteve”, shton ajo.“Kam dëshirë dhe kam nevojë të shoh vajzat e komuniteteve duke mbërrirë më shumë se sa duhet dhe për të mbërrirë qëllimin e tyre në jetë. Përndryshe luftoni për të drejtat e juaja dhe luftoni për atë që ju e doni, sepse të gjithë mund t’ia dalim. Jo vetëm komunitetet e tjera por edhe ne komunitetet që jemi rom, ashkalinj dhe egjiptian”, thekson ajo.
Tri vjet më parë, Shyret Hoxhaj filloi të marrë pjesë në aktivitete të ndryshme kundër dhunës në familje. Aktivistja nga Prizreni, e cila është pjesë e organizatës “Durmish Aslano”, thotë se gjithmonë angazhohet për një jetë më të mirë të moshatarëve të saj.
“Prej moti kanë qenë nxitjet për të ndryshuar Prizrenin, qoftë edhe Kosovën për çfarë do që është e mirë. Qoftë për të drejtat e grave, apo të drejtat e rinjve për të avokuar dhe për të arritur një standard të jetës më të mirë në Kosovë... Paragjykime apo sfida si vullnetare nuk kam pasur, por ndoshta me paragjykimet, kështu si komunitet rom, si vajzë e re, kam hasur në shkolla apo edhe në rrugë.... Organizatat në Prizren kanë gjithmonë një hapësirë që iu ofrojnë vajzave të komunitet rom, apo gjithë vajzave të komuniteteve. Organizatat gjithmonë kanë qenë të hapura dhe kanë pranuar aktiviste, vetëm mjafton për ta pasur vullnetin e lirë”, tha ajo.
“Nëse shohim vullnetarizmin në Kosovë, e shohim që zbehet vite pas vitesh. Kjo për shkak se vullnetarët nuk e kuptojnë edhe nocionin e saktë se çfarë do të thotë puna vullnetare. Mirëpo, edhe është puna që nuk e shohin motivin e tyre për shkak se nuk marrin diçka përfitime qoftë me mjete financiare apo diçka tjetër. Kemi parashtruar edhe kërkesa ndaj komunës që të ketë kartë që identifikohet si vullnetar i Prizrenit. Por për shkak të ndryshimeve që duhet të bëjë ministria për t’i pranuar këto kushte, nuk është realizuar deri më tani”, përfundon ajo.
Tash e 15 vjet edhe organizata “Sakuntala”, po fokusohet në aktivitete për të rinjtë e komuniteteve, thotë Indira Elshani.
Teksa përmend rastet e diskriminimeve që po ju bëhen të rinjve në shkollë, kafiteri e në vende të tjera, ajo thotë se punojnë që asnjë rast i vetëm të mos përsëritet.
Projekti “Edukimi mediatik kundër dezinformimit për komunitetet joshumicë në Kosovë”, mbështetet nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë.