Kosova përballë frikës për dështim të organizimit të Lojërave Mesdhetare
Tema
Lexohet për: 3 min.
Kosova përballë frikës për dështim të organizimit të Lojërave Mesdhetare
1 ditë më parë
Linku u kopjua

Ka kaluar gati një vit e gjysmë prej kur Kosova e fitoi të drejtën e organizimit të Lojërave Mesdhetare që do të mbahen në vitin 2030. Kjo ngjarje e madhe sportive do të bëjë bashkë në Kosovë 26 shtete të botës.

Për organizmin e tyre, shtetit i Kosovës është zotuar se do të investojë 250 milionë euro në ndërtimin e infrastrukturës sportive, por ka frikë se nuk po bëhen hapat e duhur në këtë drejtim.

Ndërkaq, shpresohet që viti 2025 të jetë vit kur do të bëhen hapa konkret në ndërtimin e infrastrukturës sportive.

Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi thotë se ky vit duhet të jetë ai që do të përcaktojë rrjedhën e punëve që duhet të kryhen në funksion të përgatitjeve për këtë ngjarje të madhe sportive.

“Unë besoj që jemi në rrugën e duhur, tashmë ligji është bërë dhe besoj që shumë shpejtë do të formohet edhe Komiteti Organizativ i Lojërave Mesdhetare dhe do të fillojmë menjëherë me fillimin e procedurës së ndërtimit të objekteve, përcaktimit të vendeve, futjes në punë të njerëzve që do të jenë kompetent në punën e mëtejme për Lojërat Mesdhetare. Besoj që jemi në kohë, dhe vitit 2025 është një vit që do të përcaktojë shumë gjëra për Lojërat Mesdhetare”, thotë Krasniqi.

Por ai pranon se ka frikë që koha po ikën shpejtë dhe bën thirrje për mobilizim shtetëror për të kryer punët që duhen në infrastrukturën sportive sepse, siç thotë ai, Lojërat Mesdhetare janë interes kombëtar.

“Ne i frikësohemi kohës dhe çdo minutë duhet ta kursejmë sepse sa më shumë që humbasim kohë, atëherë do të jetë edhe më i vështirë organizimi i Lojërave Mesdhetare. Ky është interes kombëtar dhe duhet të gjithë të bashkohemi kur janë në pyetje Lojërat Mesdhetare dhe të fokusohemi në organizimin e tyre.”, shton Krasniqi.

Nga ana tjetër, nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Alban Zogaj konsideron se Ligji për Lojërat Mesdhetare do të krijojë më shumë lehtësira dhe sipas tij deri në vitin 2029 do të bëhen shumë investime në lehtësira sportive.

Thirrje për të evituar çdo neglizhencë apo vonesë që do të rrezikonte mbajtjen e Lojërave Mesdhetare në Kosovë, ka bërë ish-presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani.

Ai thotë se askush “nuk do të duhej të guxonte që të mos i kryej punët që i ka në përgjegjësi” sepse sipas tij, kjo është ngjarje jetike për sportin kosovar.

Stadiumi kombëtar, kompleksi i pishinave olimpike, stadiumi i atletikës, fshati olimpik dhe shumë objekte të tjera të infrastrukturës sportive janë të parapara që të ndërtohen në Kosovë deri në vitin 2030, atëherë kur do të zhvillohen Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025