Kreu i rajonit separatist Transnistria në Moldavi Vadim Krasnoselski u ka kërkuar banorëve të djegin dru për ngrohje dhe paralajmëroi se ndërprerjet e energjisë elektrike janë të pashmangshme pasi Ukraina ndaloi transitin e gazit rus në Evropë.
Krasnoselski ka inkurajuar banorët e zonave rurale që të gjejnë dhe djegin dru aty ku është e mundur, teka ka bërë të ditur në Telegram se 1500 ndërtesa shumëkatëshe nuk kanë ngrohje dhe ujë të nxehtë, dhe se pothuajse 72.000 familje private nuk kanë gaz.
Temperaturat në kryeqytetin e Transnistrisë, Tiraspol, parashikohen të jenë pak mbi zero gjatë fundjavës, pasi një valë e ftohtë përfshin pjesën më të madhe të kontinentit.
Kujtojmë, Transnistria, një territor pro-rus në kufirin me Ukrainën, u shkëput nga pjesa tjetër e Moldavisë pas rënies së Bashkimit Sovjetik në vitin 1991. Derisa u ndërpre furnizimi, ata merrnin gazin rus nëpërmjet Ukrainës.