Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka lënë të hapur mundësinë që të rikthehet në postin e kryeministrit, por ka theksuar se këtë do ta bëjë vetëm nëse e fiton mandatin në zgjedhje.
Duke folur para gazetarëve pas një vizite në një kantier ndërtimi pranë Svilajnacit, të hënën, ai njoftoi se zgjedhjet parlamentare do të shpallen "shumë shpejt" dhe se vendimi i qytetarëve do të respektohet.
"Ky opsion ekziston dhe është i ligjshëm, por nuk është opsion për mua. Nuk dua t'i jap vetes një funksion për të cilin nuk kam kërkuar votën e popullit. Vetëm pasi ta marr mbështetjen e qytetarëve mund të bëhem kryeministër", deklaroi Vuçiq, transmeton N1, përcjellë KosovaPress.
Ai tha se skenari më i mundshëm është që qeveria të japë dorëheqje ose të njoftojë se nuk e ka më shumicën parlamentare, çka do ta detyronte presidentin të shpallte zgjedhjet për Kuvendin.Vuçiq ka qenë edhe më herët kryeministër i Serbisë, në vitet 2014-2017. “Rrotullimi” i tij herë në këtë pozitë, e herë në atë të presidentit, është parë nga kundërshtarë të tij politik, por edhe analistë në Serbi e jashtë saj, si një praktikë politike e njëjtë me atë që ka ndjekur “idhulli” politik i tij, rusi Vladimir Putin, i cili ka ushtruar këto dy funksione në Moskë. Në më shumë se 20 vjetët e fundit.
Presidenti nga Beogradi shtoi, të hënën, se zgjedhjet parlamentare dhe ato presidenciale do të mbahen veçmas, ndërsa sipas tij, fillimisht pritet të zhvillohen zgjedhjet parlamentare.