Kuvendi i Kosovës pas gati një viti bllokadë ka arritur sot (e enjte) t’i miratojë disa marrëveshje financiare ndërkombëtare. Me 77 vota për, 10 kundër, 1 abstenim, edhe kësaj radhe ka dështuar të miratohet Marrëveshja e Kredisë për programimin e financave dhe rritjes ekonomike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar. Po ashtu në këtë seancë dështoi të miratohet marrëveshja për burgjet me Danimarkën, ku votuan vetëm 75 deputetë, kundër 13, ndërkaq nuk pati abstenim.
Megjithatë, Kuvendi i Kosovës nga totali i marrëveshjeve që janë në rend të ditës sot, deputetët me mëbshtetjen e GP të PDK-së kanë miratuar dhjetë prej këtyre marrëveshjeve, dy dështuan në miratim dhe një është shtyrë për seancë tjetër.
Po ashtu është miratuar Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes për sigurime sociale ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Holandës; Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Qeverisë së Kosovës, të përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Qeverisë së Konfederatës Zvicerane, të përfaqësuar nga Sekretariati shtetëror për çështje ekonomike për Projektin e “qëndrueshmërisë klimatike në sektorin e ujërave në Kosovë”.
Ndërkaq, Kuvendi kaloi edhe Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit në mes të Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), dhe KFË, Frankfurt Am Main, për Programin e energjisë solare I (solar4kosovo I) Fotovoltaik; Ligjin për ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare, për pjesëmarrjen e Kosovës në programin e Bashkimit Evropian “Evropa digjitale për periudhën 2021-2027” ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian; Ligjin për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e BE-së qytetarët, barazia, të drejtat dhe vlerat, dhe Ligjin për ratifikimin e “amendamentimit nr.3 të Marrëveshjes financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për programin IPA 2015”.
Shefi i GP të LDK-së, Arben Gashi ka thënë se nevojiten sqarime shtesë nga ministri.
Në rend dite ishte edhe votimi i Projekt-rezolutës për adresimin e gjetjeve të Raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit-DASH, mirëpo kjo pikë është shtyrë për votim në një seancë tjetër, pasi deputetja nga pushteti, Mimoza Kusari-Lila ka kërkuar kohë që të plotësohet kjo rezolutë.